Merkel: Kush nuk do të vaksinohet, nuk do të jetë në gjendje të bëjë disa gjëra

3 Shkurt, 2021 - 10:57 pm

Kancelarja gjermane Angela Merkel në një intervistë për televizionin ARD ka  mbrojtur strategjinë e saj të vaksinimit. Ajo me këtë rast tregon se deri kur të gjithë gjermanët do të mund të vaksinohen – dhe çfarë ndodh nëse dikush nuk dëshiron ta bëjë këtë.

Kjo intervistë vjen më shumë se dy vite nga intervista e fundit televizive që ka dhënë kancelarja, në vitin 2018.

Merkel fillimisht hodhi poshtë fjalën “privilegje” për njerëzit e vaksinuar, duke deklaruar se ato nuk ishin privilegje por  shprehje e “jetës normale”, e cila do të kthehet një ditë. Megjithatë, ajo ka pranuar se njerëzit që nuk duan të vaksinohen mund të mos jenë në gjendje t`i bëjnë disa gjëra pastaj. Konkretisht ajo ka thënë:

“Unë mendoj se pasi që më vonë u bëjmë një ofertë shumë njerëzve që të vaksinohen dhe një numër njerëzish thonë se nuk ekziston detyrimi për t`u vaksinuar, prandaj nuk duan të vaksinohen. Atëherë mbase duhet të bëjmë dallimin dhe të themi se nëse nuk e dëshiron vaksinimin, as ti nuk mund të bësh gjëra të caktuara”.

Ky deklarim i kancelares ka ngjallur debat në Gjermani.

Vendimi për të këmbëngulur në përmbushjen e kritereve të nevojshme për miratimin e vaksinave nuk ishte “gabim”, ka thënë Merkel të martën në mbrëmje në televizionin ARD.  Lidhur me vaksinën ruse Sputnik V, ajo është shprehur se çdo vaksinë është “mirëpritur ngrohtësisht” në Bashkimin Evropian (BE), me kusht që të miratohet nga Agjencia e Barnave e BE-së.

“Ne nuk mund të kemi plan të ngurtë vaksinimi” është shprehur Merkel, duke mbrojtur veprimin e Qeverisë Federale dhe të landeve. Plani duhet të përshtatet në mënyrë dinamike.

“Ne po luftojmë për besimin në këto vaksina”, ka theksuar Kancelarja. Pas samitit lidhur me vaksinimin të hënën në mbrëmje, kishte pasur kritika drejt saj, veçanërisht nga opozita. Të Gjelbrit, e Majta dhe FDP e konsiderojnë takimin si të dështuar.

Lidhur me bisedimet e ardhshme në nivelin federatë – republika federale (lande) të paraparë për 10 shkurt dhe relaksimin e mundshëm të masave, Merkel tha se perspektiva e hapjes nuk bazohet në një datë, por në vlera. Bëhet fjalë për numrin e infeksioneve, ngarkesën e njësive të kujdesit intensiv dhe përqindjen e mutacioneve.

“Për fat të mirë, vlerat po bien” është shprehur Merkel. Tani ka 50 qarqe ose qytete që kanë  incidencën shtatë-ditore prej më pak se 50./alb/KultPlus.com

Të ngjajshme