Çeku takohet me Ahmetin, diskutohet për Stadiumin e Qytetit dhe Shtëpinë e Kulturës

8 Shtator, 2022 - 4:29 pm

Në ciklin e takimeve me kryetarë të komunave, gjatë ditës së djeshme ministri Hajrulla Çeku ka takuar kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti.

Bashkë diskutuan në përgjithësi për fushën e kulturës, rinisë, sportit dhe trashëgimisë kulturore ndërsa në veçanti për projektet infrastrukturore në këto fusha.

U fol për Stadiumin e Qytetit. Nga Komuna u zotuan që të zhvillojnë takime me operatorin ekonomik dhe të intensifikohen punët e mbetura në terren deri në përmbyllje të kontratës.

Vazhduan me Palestrën Sportive ku gjithashtu ka ngecje të punëve. U dakorduan që punët të vazhdojnë me intensitet më të lartë dhe me mbikqyrje të vazhdueshme.

Një tjetër projekt për të cilin u diskutua është Shtëpia e Kulturës. Komuna u zotuan të zhvillojnë projektin e plotë, që do të shqyrtohet nga MKRS për bashkëfinancim në vitet e ardhshme.

Ministri Çeku edhe në këtë takim e vuri në theks rëndësinë që projektet të jenë sa më cilësore dhe t’i plotësojnë të gjitha kriteret në mënyrë që gjatë implementimit të projekteve të mos shfaqen probleme, siç ka ndodhur në shumicën prej tyre deri tani.

U fol po ashtu për Revitalizimin e Qytetit të Vjetër të Janjevë ku ka filluar zbatimi i projektit “Trashëgimia Kulturore si Nxitëse për Ringjallje Ekonomike të Janjevës” dhe punët po vazhdojnë. U dakorduan që të punojnë së bashku që ky projekt të marrë vëmendjen e merituar.

Minsitri Çeku e informoi për dy programet shtetërore që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, ai i artit në shkolla dhe sportit në shkolla. Mori zotim që nga komuna e Lipjanit do të ketë angazhim të lartë në zbatimin e këtyre dy programeve. /KultPlus.com

Të ngjajshme