2 Shtator, 2025 - 7:15 pm
Në Bethlem Museum of the Mind, i vendosur në ambientet e spitalit të njohur psikiatrik Bethlem, është hapur ekspozita “Between Sleeping and Waking: Hospital Dreams and Visitations”, që sjell në vëmendje vizionet dhe ëndrrat e pacientëve në orët e turbullta mes gjumit dhe zgjimit.
Ekspozita zbulon një botë intime, shpeshherë të frikshme por edhe të njohur, të përjetuar nga pacientët në periudha ankthi, frike apo kurioziteti. Në punimet e ekspozuara shfaqen motive të përsëritura që shumë vizitorë mund t’i njohin nga ëndrrat e tyre: ndjesia e insekteve që shëtisin mbi lëkurë, përjetimi i fluturimit mbi shtrat, përpjekja për të kaluar mes perdeve drejt dritës, raporton Observe.co.uk
Ndër artistët e përfaqësuar janë figura të njohura si Charlotte Johnson Wahl (nëna e Boris Johnson), e cila paraqet duar të shtrira për ndihmë, George Harding, Madge Gill, si dhe kanadezi William Kurelek, i cili krijoi veprën e famshme The Maze, një eksplorim vizual i labirinteve të mendjes së tij.
Ekspozita përfshin gjithashtu ditarët e ëndrrave të psikiatrit Dr. Edward Hare, mbajtur për dekada deri në vitet 1990, si dhe vepra historike si vizatimi i Jonathan Martin nga vitet 1830, ku Londra shfaqet duke u përpirë nga flakët.
Ky koleksion sjell pyetje të vazhdueshme mbi lidhjen mes artit, çrregullimeve mendore dhe perceptimit të realitetit, duke i afruar vizitorët me përjetimet më të thella e të ndjeshme të pacientëve që jetuan mes ëndrrës, ankthit dhe vizionit./KultPlus.com