Meta dekoron Agron Aliaj, me Titullin e lartë ‘Nderi i Kombit’

13 Korrik, 2022 - 12:57 pm

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, një nga pionierët e Teatrit të Operas dhe Baletit, artistin Agron Aliaj.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Meta thekson se Agron Aliaj hyri në historinë e Teatrit të Operas dhe Baletit si pionier i parë i baletit kombëtar.

“Pjesë e një plejade të artë artistësh, që themeluan me pasion dhe sakrifica trupën e baletit shqiptar, mjeshtri i skenës Agron Aliaj hyri në historinë e Teatrit të Operas dhe Baletit, jo vetëm si pionier i parë i baletit kombëtar, por edhe për figurën e rrallë artistike që krijoi dhe që do të mbetej model për koreografët e mëvonshëm”, shprehet ai.

Meta shton se për dekada me radhë, mjeshtëria e tij do të dallohej në çdo pjesë të veprave kombëtare dhe të huaja që u vunë në skenë dhe u duartrokitën nga artdashësit shqiptarë.

“Me mirënjohje për talentin e rrallë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në formimin dhe edukimin e brezave të rinj të artistëve, që sot interpretojnë krijimet e tij dhe krenohen për veprat e mrekullueshme që ka lënë trashëgim për artin dhe kulturën shqiptare, i akordova të paharruarit Agron Aliaj, Titullin e lartë “Nderi i Kombit”, thekson ai./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme