Meta: Masakra e Reçakut shokoi botën, është dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik

15 Janar, 2021 - 3:23 pm

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përkujtuar 22 vjetorin e masakrës së Reçakut.

Sipas tij kjo masakër që u krye në zemër të Evropës e ka shokuar botën

“Kjo masakër e kryer në zemër të Europës, që shokoi mbarë botën, mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar, për të shmangur çdo rrezik për riciklimin e dhunës në rajonin tonë, që ende i ka të freskëta plagët dhe vuajtjet e luftrave” shkruan Meta në rrjetin social Facebook.

Më tutje ai tha se do bëjmë gjithçka për të mos lejuar më cenimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Postimi i plotë:

Në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, nderojmë sot me dhembje dhe respekt të thellë kujtimin e 45 civilëve të pafajshëm, që humbën jetën në Masakrën e Reçakut, si dhe të gjitha viktimat e paharruara të krimeve barbare të regjimit të Millosheviçit.

Kjo masakër e kryer në zemër të Europës, që shokoi mbarë botën, mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar, për të shmangur çdo rrezik për riciklimin e dhunës në rajonin tonë, që ende i ka të freskëta plagët dhe vuajtjet e luftrave.

Të bëjmë gjithçka për të mos lejuar më cenimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, për të garantuar të ardhmen e sigurtë dhe të përbashkët europiane.

Mirënjohje përjetë Ambasadorit William Walker për denoncimin historik, që i bëri Masakrës së Reçakut vetëm me tre fjalë: Krim kundër njerëzimit! / KultPlus.com

Të ngjajshme