Ministri Çeku e vlerëson vitin 2021 si të suksesshëm, premton rritje të buxhetit edhe për vitin 2022

28 Dhjetor, 2021 - 3:44 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka prezantuar punën vjetore dhe planet për vitin e ardhshëm të kësaj ministrie, përcjell KultPlus.

Çeku nisi konferencën duke përmendur intervenimet e MKRS-së në ruajtën e trashëgimisë kulturore në Kosovë.

“Në fillim janë identifiku mbi 200 monumente që janë në rrezik, 12 ndërhyrje kanë përfundu tashmë 18 janë në proces dhe 16 pritet të fillojnë së shpejti. Për vitin 2022 kemi planifiku mbi 50 ndërhyrje të tjera emergjente në monumente, me synimin që në vitin 2023 të mos e kemi asnjë monument që është në rrezik të shkatërrimit. Ndërsa paralelisht në gjithë vendin po vazhdojmë me projektet e restaurimit të monumenteve. Ndër ato që po restaurohen janë: Muzeu Etnologjik në Prishtinë, Kulla  e Sylejman Vokshit në Gjakovë, Kinemaja e parë në Prizren, Hani i Haraçisë në Gjakovë, Kulla e Sheremetit në Pejë, Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë, disa monumente brenda qendrës historike të Prizrenit, përfshirë hamamin e Gazi Mehmet Pashës.”- tha ministri Çeku.

Ndërkaq për vitin 2022, ministri Çeku potencoi se kanë planifikuar buxhet prej 5.4 milionë euro për Trashëgimi Kulturore, prej të cilave një milion për ndërhyrje emergjente.

Aktualisht në proces të hartimit të kësaj ministrie janë tri plane të menaxhimit, lokaliteti arkeologjik ‘Ulpiana’, hamami i Prishtinës dhe Çarshia e Pejës.

Ministri Çeku poashtu thekson se gjatë vitit 2021 mbështetja totale financiare për organizatat dhe individët në fushën e trashëgimisë kulturore është 913.000 euro, ku krahasuar me vitin e kaluar është rritur për 3.5 fish.

Gjatë vitit 2021 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka realizuar një sërë bashkëpunimesh në fushën e trashëgimisë kulturore.

“Me ministrinë e planifikimit hapësinor dhe organizatën Trashëgimia Kulturore pa kufi tashmë po e zhvillojmë sistemin e integruar për menaxhimn e aseteve të trashëgimisë. Me ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, kemi arritur marrëveshje për mbështetje profesionale për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare ndërsa me BE-në i kemi dhënë dinamikë projekteve si ‘Ulpiana’, Marin Barleti, Kino ‘Lumbardhi’ dhe ‘Janjeva’.” – theksoi ministri Çeku.

Ministri Çeku poashtu tha se shumë shpejt do të bëhen ndërhyrjet e para në ndërtesat e kompleksit memorial “Adem Jashari”, derisa shtoi se vitin e ardhshëm do të shpallet konkursi ndërkombëtar për masterplanin për këtë kompleks.

Një tjetër sukses të punës 9 mujore të kësaj ministrie, Çeku e konsideron edhe krijimin e komisionit shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të Trashëgimisë Kulturore nga forcat serbe gjatë luftës 1998/1999 dhe nismën për kërkimin e kthimit të artefakteve arkeologjike edhe etnografike nga muzetë e Beogradit.

Tek kultura, ai thekson së është themeluar grupi koordinues për caktimin e koncept dokumentit për kulturën.

“Gjatë muajve të fundit kemi bërë analizat e nevojshme, kemi mbledhur informacion dhe jemi duke biseduar dhe bashkëbiseduar me komunitetin artistik, dy janë synimet tona kryesore, institucionet publike të kulturës dhe skena e pavarur kulturore.” -tha Çeku duke shtuar se janë duke punuar intenzivisht në menaxhimin financiar efikas të institucioneve publike të kulturës, planet vjetore të prokurimit, aktivizimin e Petty Cash dhe angazhimin i zyrtarëve shtesë financiarë.

Ministri Çeku thotë se gjatë vitit 2022 do të bëhet renovim më i madh i ndërtesës që akomodon Teatrin Kombëtar dhe Baletin. Po ashtu ai shton se është siguruar hapësirë shtesë te Pallati i Rinisë për filharmoninë, operën, baletin, teatrin dhe QKK-në.

Ndërkaq, krahas ligjit unik për kulturën, Çeku thotë se me interes të veçantë janë duke e trajtuar edhe ligjin për kinematografinë i cili është shtyrë për vitin e ardhëshëm.

“Përmes këtij ligji, synojmë të shpallim filmin, sektor me interes të veçantë publik dhe të nxisim investimet e huaja në industrinë e filmit.”- shtoi ai.

Ministri Çeku nuk la pa përmendur edhe veprimet dhe planet për vitin e ardhshëm në fushën e sportit.

“Deri tani, në investime kapitale kanë përfunduar Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, palestra sportive në Skenderaj, stadiumi i Zhurit, i 2 Korrikut dhe Ramiz Sadiku. Aktualisht janë 37 projekte të investimeve kapitale në sport që janë në vazhdim e sipër ndërsa në buxhetin e vitit 2022 planifikojmë t’i përfundojmë të paktën 15 prej tyre. Kemi siguruar mbështetje gjithnjë në rritje për sportin. Rreth 455 mijë euro është shuma shtesë që kemi siguruar vetëm javën e kaluar për federatat e sportit. Brenda programit të ringjalljes, sporti dhe sportistët kanë përfituar 2.28 milionë euro… Mbështetja e përgjithshme për KOK-un, federatat, klubet dhe sportistët gjatë vitit 2021 është 6.35 milionë euro.” – thotë Çeku duke theksuar se kjo mbështetje financiare paraqet një rritje prej 57 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Ministri Çeku foli edhe për ndërtimin e stadiumit në qytetin e Gjilanit, për të cilin ai thotë se po bashkëpunon me kryetarin e kësaj komune.

“Sot e kemi marrë edhe një lajm inkurajues nga kryetari i Komunës së Gjilanit i cili e ka intensifikuar komunikimin me operatorin që po i kryen punimet në stadiumin e futbollit në Gjilan, një problematikë e trashëguar për të cilën ne kemi përgjegjësi të madhe për ta përfunduar sa më shpejt që është e mundur.” – tha ministri Hajrulla Çeku.

Në konferencën e thirrur për media ministri i Kulturës ka prezantuar punën nëntë mujore të kësaj ministrie./KultPlus.com

Të ngjajshme