4 Gusht, 2025 - 2:56 pm
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka shprehur mirënjohje të thellë për këngëtaren me famë botërore Dua Lipa dhe ekipin e saj të festivalit Sunny Hill, për kontributin e vazhdueshëm në promovimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës dhe kulturës.
Në një deklaratë publike, ministri Çeku tha se vizioni i Dua Lipës dhe përkushtimi i ekipit të Sunny Hill kanë krijuar një hapësirë unike ku muzika, arti dhe rinia shqiptare bashkohen me energjinë globale. Ai theksoi se përmes këtij festivali, Prishtina shndërrohet çdo vit në një skenë ndërkombëtare, duke e bërë Kosovën të dukshme dhe të vlerësuar për talentin dhe krijimtarinë e saj.
“Dua është shembulli më i mirë se si dashnia për vendin mund të shndërrohet në veprim me ndikim të jashtëzakonshëm. Faleminderit, Dua. Faleminderit Sunny Hill. Kosova është më e ndritshme edhe falë jush.” u shpreh ministri Çeku.