Ministri Çeku ngushëllon familjen e profesorit Fehmiu: Do ta kujtojmë gjithmonë si njeri me vlera të larta, atdhedashës e vizionar

20 Qershor, 2023 - 10:27 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së profesorit të ndjerë universitar, të Kulturës Fizike, Arsim Fehmiut, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku, ka thënë se profesori Fehmiu për 75 vite ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në sport dhe se gjithmonë do të kujtohet si njeri me vlera të larta, atdhedashës e vizionar.

Më poshtë gjeni telegramin ngushëllues të Minstrit Çeku ndaj familjes Fehmiu:

E nderuar familje Fehmiu,

Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, profesorit Arsim Fehmiu.

Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shprehim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj.

Pedagogu Arsim Fehmiu dha kontribut të jashtëzakonshëm në sport, arsim e kulturë për 75 vite. Si themelues dhe dekan i Fakultetit të Kulturës Fizike në Universitetin e Prishtinës, si punëtor sportiv në organizimin dhe funksionalizimin e shumë organizatave sportive në Kosovë, e po ashtu me veprimtarinë e tij si sportist e trajner ka dhënë shumë, për shumë sporte.

Do ta kujtojmë gjithmonë si njeri me vlera të larta, atdhedashës e vizionar.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit.

Sinqerisht, Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Republika e Kosovës

Të ngjajshme