Ministria e Shëndetësisë me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët që do vaksinohen

14 Maj, 2021 - 7:50 pm

Procesi i vaksinimit të personave mbi moshën 65 vjeçare do të vazhdojë gjatë vikendit, por do të vaksinohen vetëm ata që do të thirren nga Ministria e Shëndetësisë, përcjell KultPlus.

Kjo ministri ka njoftuar se vaksinimi për komunën e Prishtinës do të vazhdojë në sallën “1 Tetori”, derisa në komunat e tjera të vendit do të bëhet në lokacionet e caktuara nga Drejtoritë Komunale për Shëndetësi.

Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë – salla “1 Tetori” do të vaksinohen qytetarët të cilët sot gjatë ditës janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas aplikimit të tyre në platformën e vaksinimit kundër COVID-19 e-Kosova dhe sipas terminit të caktuar.

Vaksinimi në komuna gjatë dy ditëve të ardhshme do të bëhet sipas ftesave të marra dhe termineve të caktuara për qytetarët nga njësitë e vaksinimit sipas listave në dispozicion të krijuara nga ana e tyre dhe përmes platformës e-kosova.

Vaksinimi do të bëhet vetëm për qytetarët që pranojnë thirrjen dhe japin konfirmimin për marrjen e vaksinës në qendrën e vaksinimit në komunat e tyre.

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur gjithashtu se gjatë ditës së sotme deri në ora 17:00 me vaksinën kundër COVID-19 janë vaksinuar rreth 3100 qytetarë të Kosovës.

Kjo ministri ka njoftuar se gjatë këtij muaji dhe në fillim të muajit që vjen pritet ardhja edhe e kontigjenteve tjera të vaksinave.

Më poshtë është lista e qendrave aktuale të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë.

/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme