Ministrja Nagavci: Nxënësit e prekur nga vërshimet do njoftohen nëse do të mbahet mësimi të hënën

20 Janar, 2023 - 6:32 pm

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se si departament janë duke e përcjellë situatën e krijuar pas stuhive në disa rajone, ku nxënësit në rajonet e prekura do të njoftohen me kohë nëse mësimi do të mbahet të hënën.

“Për shkak të reshjeve të mëdha në vendin tonë, të cilat kanë sjellë vërshime në disa komuna, është pamundësuar mbajtja e procesit mësimor në disa shkolla. Zyrtarët e MAShTI, të premten, kanë qëndruar në disa shkolla për të parë nga afër gjendjen e krijuar për shkak të reshjeve, si dhe dëmet e shkaktuara në objekte shkollore”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavci ka njoftuar se janë në kontakt me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, për t’u informuar në detaje për çdo zhvillim në komunën e tyre.

Disa shkolla në Podujevë, Viti, Mitrovicë, Skënderaj, Pejë, Istog, Klinë dhe Zubin Potok sot nuk e kanë zhvilluar procesin mësimor ose e kanë kryer në kushte të vështira, për shkak të reshjeve të shiut, të cilat dje kanë shkaktuar vërshime. /KultPlus.com

Të ngjajshme