Miratohet mënyra e funksionimit të Qendrës Rajonale për Konservim

26 Korrik, 2023 - 9:00 pm

Këshilli i Ministrave me propozim të ministres së Kulturës miratoi sot funksionimin  dhe mënyrën e organizimit të Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim (QRKR) pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Sipas vendimit, misioni i QRKR-së është formimi dhe përditësimi i njohurive të restauratorëve dhe të subjekteve të licencuara, sipas legjislacionit për trashëgiminë kulturore, hartimi dhe zbatimi i programeve të kualifikimit të specialistëve në fushën e trashëgimisë kulturore materiale.

QRKR-ja e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në ofrimin e programeve, trajnimeve, seminareve, kurseve të formimit profesional në fushën e trashëgimisë kulturore; ofrimin e programeve të formimit fillestar fizikisht ose nëpërmjet platformave digjitale, paketës e-learning; hartimin dhe zbatimin e programeve të kualifikimit në fushën e trashëgimisë kulturore materiale; administrimin e procesit të marrjes së krediteve për përfitimin e licencave profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore; rritjen e ndërgjegjësimit të publikut lidhur me trashëgiminë kulturore, teknikat e konservimit, restaurimit, si dhe menaxhimit të pasurive kulturore materiale.

Në buxhetin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në pjesën për “shpenzime korrente”, miratohet një fond i veçantë buxhetor për realizimin e misionit të QRKR-së.

Vendimi përcakton se QRKR-ja drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori, i cili organizon dhe drejton veprimtarinë e QRKR-së dhe përgjigjet përpara drejtorit të përgjithshëm të IKTK-së dhe ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

Vendimi ngarkon Ministrinë e Kulturës të propozojë ndryshimin e strukturës dhe organikës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme