Miratohet vendimi për përcaktimin e procedurave për projektet artistike

11 Maj, 2022 - 4:30 pm

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e procedurave për projektet artistike.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha sot pas mbledhjes së që qeverisë se “ky vendim është kërkuar nga Ministria e Kulturës, për t’i hapur rrugën një nisme të re të qeverisë shqiptare, një iniciativë e Kryeministrit , e cila është quajtur “Art në hapësirat publike”.

“Që me miratimin e buxhetit në fundin e vitit që shkoi Ministrisë së Kulturës iu besua ky projekt madhor, i cili sjell për herë të parë një gërshetim jo vetëm të veprave të artit bashkëkohor, por edhe të ndërhyrjeve në infrastrukturë të hapësirave publike dhe urbane”.

Sipas saj, kjo nismë e re do të sjellë një gjenerim tjetër të një promovimi si të artit dhe hapësirave urbane.

“Vjen si një nevojë e mbështetjes së skemës së skemës së pavarur, por do të jetë një konkurs që do të përcaktojë fatin e shumë hapësirave publike ose të pikave kyçe të rëndësishme të gërshetimit të infrastrukturës së madhe rrugore”, tha Margariti duke shtuar se kemi filluar punën me shumë institucione të tjera.

Margariti bëri të ditur se, Ministria e Kulturës vjen me një nismë, e cila nuk fokusohet vetëm tek artistët ose tek zhvillimi dhe mbështetja ekonomike e skemës së pavarur, por gjithmonë e më tepër kthehet në një faktor kyç në ndërveprimin mes disa institucioneve.

“Pas miratimit të sotshëm, në ditët në vijim do të vazhdojmë me ngritjen e kolegjiumeve dhe të një jurie ndërkombëtare. I kam kërkuar Kryeministrit ta shpallim së bashku në një konferencë për shtyp këtë nismë, kështu që do të kemi në vazhdimësi të gjitha informacionet për garën, që do të zhvillohet për këtë nismë të re”, tha Margariti. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme