Çeku me telegram ngushëllimi për Alije Vokshin: Vlerat e saj artistike do të mbeten të paharruara

1 Shkurt, 2022 - 12:16 pm

E lindur më 1945, Alije Vokshi vdiq në moshën 76 vjeçare, ajo ishte piktorja e parë shqiptare e diplomuar në universitet, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Artit, Ministri Hajrulla Çeku dërgoi një telegram ngushëllimi për gjithë familjen e Alije Vokshi.

“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurës tuaj, piktores tonë, Alije Vokshit.

Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës, u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta, për humbjen tuaj.

Piktorja Alije Vokshi që u specializua në Paris, përpos aktivitetit kreativ artistik, me një korpus të madh të veprave që la pas, ajo u angazhua edhe në edukimin e artistëve si ligjëruese në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Krijimtaria dhe vlerat artistike që ka lënë si pasuri e trashëgimi, do të mbeten të paharruara siç do të mbetet edhe kujtimi ynë për të.

Ndarja nga jeta e piktores Alije Vokshi ka lënë një boshllëk të pazëvendësueshme në fushën e artit pamor në Kosovë.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Alije Vokshit”, shkroi Çeku.

Kur flitet për artin dhe pikturën në raport me gratë kosovare, padyshim që duhet ndalur në një pikë, se historia e pikturimit me gruan shqiptare në Kosovë fillon pikërisht me emrin e Alije Vokshit. /KultPlus.com

Të ngjajshme