Monologu i hapjes së Ellen ndaj akuzave për të, në ‘The Ellen Show’

21 Shtator, 2020 - 11:00 pm

Ellen DeGeneres u rikthye në studio për premierën e sezonit të programit të saj dhe trajtoi të gjitha akuzat që i janë bërë për një mjedis toksik pune, në monologun e saj të hapjes.

Duke e quajtur verën e saj “të mrekullueshme”, me ironi, DeGeneres i kërkoi falje kujto që është prekur negativisht, ndërsa punonte në stafin e saj.

“Siç mund ta keni imagjinuar, këtë verë kishte pretendime për një ambient toksik pune në programin tonë dhe më pas kishte dhe një hetim. Mësova se këtu ndodhën gjëra që s’duhej të kishin ndodhur kurrë. Unë e marr këtë seriozisht dhe dua të them më vjen keq për njerëzit që u prekën. Unë e di që jam në një pozitë privilegji dhe fuqie dhe me këto vjen edhe përgjegjësia, prandaj unë marr përgjegjësi për gjithçka që ndodh në emisionin tim”, tha Degeneres.

Ajo shtoi se tani është “duke marrë përgjegjësi për çfarë ndodhi.”

Në një email për stafin në korrik, DeGeneres i kërkoi falje ekipit të saj dhe tha se ishte nisur një hetim i brendshëm.

Të hënën, DeGeneres tha se shfaqja, që atëherë ka bërë “ndryshimet e nevojshme”.

“Ne kemi patur shumë biseda gjatë javëve të fundit në lidhje me shfaqjen, vendin e punës dhe atë që duam për të ardhmen. Ne kemi bërë ndryshimet e nevojshme dhe sot po fillojmë një kapitull të ri,” shtoi ajo.

Ajo gjithashtu bëri shaka për pseudonimin që ka marrë prej kohësh si  “Be Kind Lady” (Pra, pak a shumë dikush që iu thotë njerëzve shpesh të jenë të sjellshëm, të mirë me të tjerët).

“Të jesh e njohur si zonja “Be Kind” është pak e ndërlikuar”, u shpreh ajo. Më lejoni t’ju jap një këshillë, nëse dikush po kërkon për një pseudonim apo titull për veten: Mos shkoni me “Be Kind”. Mos e bëni.”

Në fund, ajo thotë se nuk është shtirur ndonjëherë, por si të gjithë edhe ajo është e lumtur, e qeshur apo e mërzitur në momente të caktuara.

“E vërteta është që unë jam ai person që ju shihni në TV.”

Ajo thotë se është “një aktore e mirë, por jo aq e mirë sa të shtiret në ekran si dikush tjetër përballë miliona njerëzve, për aq shumë vite sepse publiku do ta kishte kuptuar gjithsesi.”/ KultPlus.com

Të ngjajshme