MPJD: Këshilli i Evropës diskuton për anëtarësimin e Kosovës

20 Maj, 2022 - 5:30 pm

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur se Këshilli i Evropës ka nisur diskutimin për aplikimin e shtetit kosovar që të bëhet anëtar i këtij institucioni.

MPJD përmes një komunikate të shpërndarë në rrjetin social Twitter, ka thënë se Kosova ka qenë çështje e diskutimit e Ministrave të Komitetit sot në Torino të Italisë.

“Këshilli i Europës fillon diskutimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në takimin vjetor të Komitetit të Ministrave në Torino/Itali. Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e dhënë nga anëtarët e KE-së”, ka shkruar MPJ në një komunikatë për media.

Gërvalla përmes kësaj komunikate, ka thënë se deklaratat që u bënë sot në takimin mes ministrave, kanë treguar mbështetje për këtë qëllim të Kosovës.

“Kosova do të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme gjatë javëve dhe muajve në vazhdim që të plotësojë qëllimet e qytetarëve të saj që shteti të pranohet nga Këshilli i Evropës si pjesëtar i plotë i kësaj familje evropiane”, ka thënë ajo. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme