Ndër më të përkthyerit në histori: Bulgakovi i penduar

15 Korrik, 2021 - 10:00 pm

Mihail Bulgakov ankohej shpesh, se kishte lindur në kohën e gabuar. “Përse më përndjek kështu, o fat? Përse nuk kam lindur njëqind vjet më parë ose pas njëqind vjetësh, apo më mirë akoma nëse nuk do të kisha lindur fare!”, – qahej ai. 

Në mënyrë paradoksale, Bulgakov i ka qëndruar testit të kohës më mirë se kushdo tjetër, duke  si një nga shkrimtarët më përfaqësues rusë të shekullit XX. Herët a vonë, jeta e çdo shkrimtari bëhet një libër i hapur, me sekretet e shpirtit të ruajtura me shumë përkujdes, po edhe frikën më të vogël në mendjen e tyre që vjen dita dhe bëhen publike. Kjo është jeta! Zakonisht, gjithçka shkruhet bardhezi në librat e një shkrimtari.

I shndërroi fatkeqësitë e jetës në vepra artistike

Mihail Bulgakovit iu desh të kalonte nëpër një sërë trazirash dhe traumash shpirtërore. Lindi në Kiev (atëherë pjesë e Perandorisë Ruse), në një familje të madhe dhe të dashur. Atmosferën zemërake që Bulgakov kishte përjetuar në fëmijëri e pasqyron më së miri në kryeveprat autobiografike: në dramën legjendare  “Ditët e turbinës” dhe romani epik “Garda e bardhë”.

Që të dy vëllezërit e nënës ishin mjekë, ndaj Bulgakov zgjodhi të ndiqte gjurmët e tyre. Në 1916, u diplomua në departamentin mjekësor të Universitetit të Kievit. Puna 18-mujore si mjek në një spital rajonal në zonën e Smolenskit, shënohet në përmbledhjen e tregimeve: “Shënimet e një doktori të ri”. Kur filloi Lufta e Parë Botërore, Bulgakov punoi mjek në vijën e frontit, ku u plagos disa herë gjatë përmbushjes së detyrave. Në vitin 1918, Bulgakov u kthye në vendlindje, në Kiev, dhe ushtroi privatisht profesionin e mjekut. Shkolla famëkeqe e jetës, që formësoi pikëpamjen e Bulgakov ishte edhe më e vështirë, sepse koha e pjekurisë përkoi me luftën dhe revolucionin rus. Në mes të Luftës Civile, Bulgakovi vetë qe dëshmitar në dhjetë nga tetëmbëdhjetë grushtet e shtetit. Rregulli sovjetik vërtetoi, se ishte arsyeja kryesore për tragjedinë e fatit të Bulgakovit. Ishte si “përplasje titanësh”: një intelektual rus me mentalitet çehovian i rritur në një frymë liberalo-demokratike, përkundrejt censurës sovjetike të përhapur dhe realizmit socialist të Stalinit. Sa më shumë Bulgakovi përpiqej të futej në mënyrën e re të jetës sovjetike (ku vrazhdësia përplasej me injorancën), aq më shumë e kuptonte se bashkëpunimi me qeverinë sovjetike binte ndesh me bindjet dhe besimet e tij. Regjimi sovjetik nuk kishte asnjë lidhje me ndjenjën e tij të vlerave. Megjithatë, Bulgakov po kërkonte një kompromis midis të dyve, duke shpresuar që në njëfarë mënyre të ndriçonte dhe edukonte qeverinë. U përpoq të gjente një gjuhë të përbashkët me autoritetet sovjetike përmes një bisede me Josif Stalinin (i cili pa dramën idhull të Bulgakovit “Ditët e turbinës” në Teatrin e Artit të Moskës të paktën 15 herë!). Ashtu si Aleksandër Pushkini po kërkonte një gjuhë të përbashkët përmes një bisede me Car Nikolasin I në 1826, Bulgakovi gjithashtu la disa hapësira për një kompromis. Sidoqoftë, përpjekjet e pajtimit të Pushkinit dhe Bulgakovit qenë një dështim. Bulgakov i përshkroi mosmarrëveshjet ideologjike midis bolshevikëve dhe inteligjencës ruse me një forcë kafkiane në “Zemra e një qeni”. Shkruar në 1925, dorëshkrimi i Bulgakovit u kap nga censorët një vit më pas dhe u botua vetëm gjatë Perestrojkës së Gorbaçovit.

E gjallëroi të kaluarën më mirë se çdo libër tjetër

Në vitin 1919, Bulgakovi, një mjek i kualifikuar, më së fundi e kuptoi që thirrja e vërtetë e tij ishte të shkruarit. Ishte e dukshme, se ajo çfarë i duhej vërtet ishte një stilolaps dhe një copë letër, jo një stetoskop i ftohtë dhe një përparëse e bardhë. “Të shkruarit është sëmundje, nuk mund ta ndaloni”, – tha një herë shkrimtari amerikan, William Carlos Williams. Bulgakov e provoi më së mirë këtë logjikë.

Kryeveprat e Bulgakovit “Mjeshtri dhe Margarita” dhe “Vezët fatale”, janë një lloj Bible e jetës së tmerrshme sovjetike. Bulgakov bëri që historia të gjallërohej në veprat e tij më mirë se në çdo libër tjetër. Në realitetin e dhunshëm sovjetik, sukseset fillestare të Bulgakovit qenë kalimtare, amdje u bë viktimë e një fushate urrejtjeje në mediet sovjetike. Në letrën drejtuar qeverisë, Bulgakov përmendi statistika të zymta. Ai mblodhi të gjitha copat e gazetave me përmbledhje të punimeve të tij. Nga 301 shqyrtime, 298 ishin krejtësisht armiqësore dhe negative dhe kutophet lehtë se përse. Bulgakov përçmonte haptazi mosfunksionimin kulturor të qenësishëm në pushtetin sovjetik, duke i përdorur dramat dhe romanet për të ngritur zërin kundër sundimit sovjetik dhe çmimi që pagoi për këtë gjë qe goxha i lartë.

Shkroi një nga romanet ruse më të përkthyera në histori

Mjeshtri dhe Margarita” është një nga romanet ruse më të përkthyera të të gjitha kohërave. Po ashtu, ai pati ndikim të madh tek një numër i konsiderueshëm shkrimtarësh, muzikantësh dhe artistësh në të gjithë botën. Salman Rushdie pranoi që “Mjeshtri dhe Margarita” ishte një frymëzim për romanin e vitit 1988 “Vargjet satanike”. “Mjeshtri dhe Margarita” frymëzoi liderin e “Rolling Stones”, Sër Mick Jagger të shkruante një nga këngët e tij më të mira, “Sympathy for the Devil”, ndërsa teksti i këngës “Pilate” i Pearl Jam u frymëzua gjithashtu nga romani me blockbuster i Bulgakovit etj.

Bulgakovit i pëlqente që hakmarrja të ishte e ftohtë, për këtë arsye shkroi një roman për fuqinë e mbinatyrshme, për satanin në Moskën bolshevike, për djallin dhe Jezusin dhe për një shkrimtar gjenial të paemër, që shkroi një roman për Pont Pilatin, guvernatori i pestë i provincës romake të Judesë, i cili urdhëroi kryqëzimin e Jezusit. Në punën metafizike të Bulgakovit, satanai është një figurë ambivalente dhe është “pjesë e asaj fuqie që përjetësisht dëshiron të keqen dhe përjetësisht punon mirë”. Në një mënyrë të guximshme dhe groteske, Woland (djalli) i Bulgakovit kundërshton përqafimin e së keqes, atë që, fatkeqësisht, është sovjetike. Një mendimtar vërtet i madh, në fund të fundit, Bulgakovi nuk ishte nga ata që mund të diagnostikonte vetëm thjesht, gjendje mjekësore. / Konica.al / KultPlus.com

Të ngjajshme