Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë validitet i vështirësive dhe mbështetje nga shoqëria

3 Prill, 2023 - 10:22 am

Nga Halime Bici

Kur një diagnozë prek të padukshmen e të pavërejtshmen, ashtu si autizmi, sfidat rriten, teksa identifikimi, ndërgjegjësimi e pranueshmëria vështirësohet. Si rrjedhojë e kësaj, përtej sfidave që diagnoza primare sjellë, faktorët mjedisorë bëjnë që vështirësitë të rriten edhe më shumë.

Gjatë prillit, synojmë që këta faktorë mjedisorë t’i adresojmë e t’i bëjmë çështje diskutimi, ashtu që ndërgjegjësimi të rritet.

Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë njohje e shenjave të autizmit, që indikojnë këtë gjendje, ashtu që të identifikohet e të intervenohet që në fëmijëri të hershme (1-5). Kështu, rriten gjasat për përmbushje të potencialit të fëmijës dhe rriten gjasat e gjetjes së përshtatshme edukative për fëmijën.

Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë validitet i vështirësive dhe mbështetje nga shoqëria, përkundër mungesës së tipareve fizike që indikojnë ato.

Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë edukim rreth faktit që sjelljet e përsëritura, si duartrokitje, kërcim, kërcëllitje e dhëmbëve, apo lëshimi i tingujve të caktuar në momente të caktuara, mund të jenë mënyra vetrregullimi për fëmijën me autizëm, i cili ndjehet në siklet, kulm të lumturisë apo edhe në momente mërzitje, e këto i manifeston me sjelljet mësipër. Njëjtë si ne manifestojmë mërzitjen me lotë, apo si dikush që sikletin e manifeston me lëvizje të pakontrollueshme duarsh. Këto sjellje nuk adresohen përmes terapisë, për shkak se ndihmojnë individin të vetrregullohet, andaj s’duhen adresuar, po duhen pranuar.

Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë edhe pranim i formave të ndryshme të komunikimit, përtej verbales. Do të thotë vënie e fokusit në mesazhin që po synon të transmetohet, e jo mënyrës se si po komunikohet.

Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë njohja dhe përbrendësimi i idesë që një person me autizëm mund të jetë gjithë çka është një person neurotipik – e/i shoqërueshëm, të shfaqë dhembshuri, të flasë, të lexojë, të shkruajë, të jetë doktor, profesor, inxhinier e gjithë çka dëshiron të jetë.

Ndërgjegjësimi për autizëm do të thotë njohje e rëndësisë së bashkëpunimit mes insititucioneve, si qendër, klinikë, kopsht, shkollë, ashtu që mos të ndalen përpjekjet e të arrijmë të përdorim gjithë kapacitetet që kemi, e të përmbushim gjithë potencialin e fëmijës. Pra, të kemi qasjen e njëjtë siç kemi për neurotipikët, të besojmë në ta e të përpiqemi, pa u dorëzuar.

Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë njohje dhe përbrendësim i spektrit të autizmit, pra, spektrit, që indikon spektër dallimesh në individë që mund të ndajnë diagnozën e njëjtë, e të kenë funksionim krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri. Ashtu si njerëzit neurotipikë që dallojnë në formë spektri, me ngjashmëri, po aq sa dallime, njëjtë edhe njerëzit me autizëm, dallojnë në gjithë çka janë, prej mënyrës se si perceptojnë informacionin në nivel shqisor, në mënyrën se si manifestojnë atë & përfundimisht mënyrën e funksionimit në tërësi.

Përfundimisht, njëjtë siç i qasemi një neurotipiku për t’a njohur, njëjtë duhet qasur një personi me autizëm, pasi që “nëse ke njohur një person me autizëm, ke njohur vetëm atë person me autizëm”.

Urime Dita Botërore e Autizmit të gjithë prindërve, advokatëve e terapistëve që përkushtohen në qëllimin që në të ardhmen – personat me autizëm të jenë advokatë të vetes.

(Autorja e shkrimit, Halime Bici është logopede e licencuar, me interes të veçantë në punën me persona me autizëm dhe 5 vite përvojë pune me këtë kategori.) / KultPlus.com

Të ngjajshme