26 Gusht, 2025 - 9:00 am
Më 26 gusht 1910, në Shkup, lindi Gonxhe Bojaxhiu, gruaja që bota do ta njihte si Nënë Tereza, shenjtorja e mirësisë, e cila i kushtoi jetën e saj shërbimit ndaj më të varfërve dhe më të braktisurve.
Në moshë të re, ajo vendosi t’i përkushtohej jetës fetare dhe shërbimit humanitar, duke themeluar Misionaret e Bamirësisë në Kalkutë, Indi. Përmes këtij urdhri, Nënë Tereza ofroi ndihmë mjekësore, ushqim dhe strehim për njerëzit e harruar nga shoqëria, transmeton KultPlus.
Për veprën e saj, ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, por mbi të gjitha fitoi dashurinë dhe respektin e miliona njerëzve anembanë globit. Mesazhi i saj i thjeshtë, “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, mbetet frymëzim i përjetshëm.
Në këtë ditë përkujtimore, kujtojmë lindjen e saj si fillimin e një jete të shenjtëruar humanizmit, që vazhdon të prekë zemrat dhe ndërgjegjen e botës edhe sot./KultPlus.com