Nëntë kuriozitete për ishullin e erëzave, Zanzibarin

20 Shkurt, 2021 - 10:59 pm

Zanzibari, ishulli i erëzave, vendi ku koha rrjedh ndryshe, të gjithë përshëndeten me mirësjellje dhe pasdite pinë çaj.

Ky ishull është një rajon gjysmë-autonom, në Oqeanin Indian. Edhe pse zyrtarisht i përket Tanzanisë, në pothuajse të gjitha aspektet si në politikë, fe, kulturë, madje edhe ushqim, ai ndryshon nga ai vend, sipas National Geographic.

Populli Suahilian jeton në bregun lindor të Afrikës dhe flet gjuhën Suahile.

Ndërsa të krishterët, myslimanët dhe vendasit jetojnë në pjesën kryesore të Tanzanisë, në Zanzibar, e cila është udhëhequr nga Omani për shekuj, popullsia është pothuajse tërësisht myslimane.

Sot, në shumicën e fshatrave dhe qyteteve ku populli Suahilian është shumicë, xhamitë janë themeli i jetës dhe zbatohet feja islame. Sidoqoftë, disa komunitete përfshijnë elemente të besimeve tradicionale afrikane në fenë e tyre.

Zanzibari është një bazë për tregtarët nga Afrika, India dhe vendet arabe, dhe kryesisht tregtohet me erëza, ndërsa popullata lokale merret gjithashtu me bujqësi dhe peshkim. Ky ishull ka presidentin dhe legjislaturën e vet, kështu që popullata nuk ndihet sikur i përkasin Tanzanisë.

Në kulturën e këtij populli, një ditë e re fillon para lindjes së diellit, jo në mesnatë, që do të thotë se kur ora është shtatë e mëngjesit, tek ata në të vërtetë është ora një, dhe ora shtatë e mbrëmjes është në orën një të natës.

Sipas tyre, kjo matje funksionon sepse lindja dhe perëndimi i diellit janë relativisht konstante gjatë gjithë vitit, sepse Zanzibar është afër Ekuatorit.

Përshëndetja atje është shumë e rëndësishme. Shpesh kjo është turbulluese për turistët, sepse ata kanë paragjykime dhe mendojnë se popullata dëshiron t’u shesë diçka.

Megjithatë, ky nuk është rasti, përshëndetjet janë pjesë e kulturës së tyre. Ato më të përdorurat janë “Mambos” dhe “Jambos”, ndërsa “Shikamoo” i drejtohet dikujt që e njohin më pak.

Ky qytet antik u shpall monument kulture nga UNESCO në vitin 2000. Qyteti është në të vërtetë një labirint i vogël dhe megjithëse ka disa rrugë që kanë emra, askush në të vërtetë nuk i përdor ata.

Në Zanzibar, jeta është e ngadaltë dhe orari i punës nuk ka gjithmonë kuptim.

Ishulli ka dy sezone me shi, sezonin e gjatë dhe atë të shkurtër. Sezoni i gjatë me shi zgjat nga muaji mars deri në maj, por menjëherë pasohet nga një verë e gjatë dhe e ngrohtë afrikane.

Ndërsa sezoni i shirave dhe i reshjeve afatshkurtra, ndodh në nëntor dhe dhjetor.

Zanzibar-i ka ndryshuar shumë sundimtarë gjatë shekujve, dhe një histori e tillë ka kontribuar në krijimin e një prej kuzhinave më interesante afrikane. Traditat indiane, arabe, portugeze dhe afrikane të gatimit janë të përziera, të gjitha me praninë e shumë erëzave, sipas të cilave Zanzibar mori epitetin “ishulli i erëzave”.

Kultura e pirjes së çajit është një tjetër veçanti e Zanzibar-it. Çaji më së shpeshti pihet kur perëndon dielli dhe një nga çajërat më të njohur është tangawizi, çaj xhenxhefili me vanilje. /op/ KultPlus.com

Të ngjajshme