“Nëse e humbim kontrollin”, Zemaj paralajmëron kthimin e izolimit dhe karantinës

5 Tetor, 2020 - 9:13 am

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur rreth situatës epidemiologjike në vend. Zemaj ka paralajmëruar se mund të ketë izolim sërish dhe rikthim të karantinës, nëse ka rritje të numrit të rasteve me COVID-19, raporton Express.

“Në karantinë mund të na kthejë vetëm nëse ne e humbasin kontrollin e kujdesit. Për këtë arsye secila hapje është bërë me masat e vlerësimit dhe mbikëqyrjes. Ne do t’i shtojmë këto ditë, sepse në lëvizje nëpër komuna të ndryshme e kam parë se nuk po mbahet partneriteti dhe devotshmëria për respektim të masave që janë vendosur nga Qeveria e Kosovës. Këto ditë do ta shtojmë komunikimin me Inspektoratin Sanitar dhe Policisë së Kosovës dhe do të kërkoj zbatim strikt të masave”.

“Çdo rritje e numrit të infeksioneve mund të na kthejë në aspekte restriktive që mund të nënkuptojë diku mbyllje, izolim, apo kufizim të lirisë së lëvizjes. Nuk do të kemi asnjë pardon, sepse për mua primare është ruajtja e shëndetit publik”, ka deklaruar ai.

Sipas Zemajt, ndryshimi i qasjes ka dhënë rezultate produktive në menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.

“Ishte një qasje tjetër që dha rezultate produktive në vetëdijesimin e opinionit. Për mua kjo u kthye në rezultate pozitive, sepse kaloi niveli i komunikimit nga ‘virusi nuk ekziston’ në ‘virusi ekziston dhe po merr jetë”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka deklaruar edhe se po provojnë që deri në muajin dhjetor të sigurohen 500 mijë vaksina kundër gripit sezonal.

“Kemi siguruar një numër të konsiderueshëm të vaksinave që në krahasim me vitin e kaluar është më i lartë. I posedojmë 160 mijë e 500 vaksina që në fund të këtij muaji do të shpërndahen, derisa pjesa tjetër është në proces të sigurimit. Gjatë dhjetorit presim edhe pjesën tjetër që duhet të arrijë në 500 mijë vaksina kundër gripit sezonal që është bukur e vështirë, sepse mungesa e tyre është evidente në tregun evropian”. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme