‘Nëse nuk di të duash, mos merr jetë’

7 Janar, 2022 - 2:36 pm

Sot në Skenderaj është protestuar kundër dhunës dhe vrasjes së grave, duke dënuar vrasjen e Lirije Qerimaj nga bashkëshorti në Llaushë të Skenderajt.

Protesta është organizuar nga OJQ “Gratë Intelektuale të Drenicës”, ku është marshuar nga sheshi “Adem Jashari” deri tek Gjykata, dhe më pas para stacionit policor në Skenderaj.

Ndryshe, vrasja e rëndë ka ndodhur të mërkurën, në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Gratë kanë mbajtur afishe në duar me mbishkrimet “Vrasja nuk është virtyt por forma më e ulët e ligështisë”, “Nëse nuk di të duash mos merr jetë”.

Sipas Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari S.Q., me datë 05 janar 2022 në fshatin Llaushë të Skenderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij me iniciale L.Q., ashtu që pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me viktimën, ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës./KultPlus.com

Të ngjajshme