Nesër Kuvendi Diturak nis për herë të parë punimet mbi gjendjen e studimeve arbëreshe

26 Shtator, 2021 - 7:00 pm

Nesër nis për herë të parë punimet Kuvendi Diturak organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshet. Tema e këtij takimi të shumë pritur (ishte parashikuar të zhvillohej në vjeshtën e viti të kaluar, por për shkak të pandemisë u shty) është “Gjendja aktuale e studimeve arbëreshe”.

Ky aktivitet i cili do të mbahet në Muzeun Historik Kombëtar mëton të nxjerrë në pah arritjet e deritanishme në fusha të ndryshme të studimeve mbi universin arbëresh si në studimet gjuhësore, studimet letrare, etnografike, antropologjike kulturore, të çështjeve juridike që lidhen me statusin aktual të arbërishtes si dhe, të përpunojë një strategji pune të përbashkët me të gjitha forcat studiuese në të gjitha trevat shqipfolëse, por po aq edhe të gjithë albanologëve të huaj që kanë pasur e kanë në vëmendjen e tyre çështjen e Arbërisë.

Drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Diana Kastrati tregon për “Diaspora Shqiptare” më shumë për Kuvendin Diturak, organizmin dhe pritshmëritë e këtij aktiviteti mbarë kombëtar.

Qendra e Studimeve Arbëreshe u ngrit dhe nisi punën në një kohë të vështirë që përkoi saktësisht me izolimin e Shqipërisë, por edhe të mbarë botës për shkak të pandemisë. E sigurisht, u shtynë disa projekte, ndër të cilët mbajtja e Kuvendit të parë “Gjendja aktuale e studimeve arbëreshe”, i parashikuar të zhvillohej për në shtatorin e 2020, i rishtyrë për në nëntorin e 2020 e që, pandemia e izolimi e bëri sërishmi të pamundur. Por QSPA arrin ta riorganizojë punën dhe në datat 27-29 shtator 2021 do ta zhvillojë këtë Kuvend ndërkombëtar. Çfarë synon të sjellë ky Kuvend? 

Miratimi i ngritjes së Qendrës së Studimeve dhe Botimeve për Arbëreshët (QSPA) nga qeveria shqiptare, u bë në 2019, kurse konkretizimi i fillimit të punës në janar të 2020.Personalisht jam thirrur për të marrë përsipër ngritjen e saj, në 25 dhjetor të 2020. Kam filluar punën si Drejtore ekezekutive më 10 janar të 2021, akoma pa një staf përreth. Duke i mbetur objektivitetit, më duhet të theksoj se ishte një përgjegjësi shumë e madhe jo vetëm në nivel personal, por edhe për studiuesit e rinj të përzgjedhur që panuan të bëhen protagonistë e dëshmitarë të historisë së fillimit e formëzimit të  një institucioni të tillë me rëndësi parësore kombëtare. Stafi ka filluar punën më 11 mars të 2020, e një ditë më pas filloi edhe izolimi për shkak të pandemisë. Gjithsesi, vizioni, platforma e objektivave, detyrave dhe punëve për t’u kryer brenda vitit 2020, kanë qenë të qartë që më 11 mars. Ndër këto veprimtari, krahas ngritjes së rrethit të bashkëpunëtorëve të jashtëm të cilët ishin studiues me emër në këto lëmi studimi e kërkimi, nisjes së punës për botimin e librave, strukturimit të Revistës studimore të Qendrës, ishte edhe organizimi i një Kuvendi diturak – studimor që, siç e sqaroni edhe ju, ishte parashikuar të mbahej në shtatorin e kaluar. Pas një pune të pafund të të gjithë stafit për ideimin e tij, mbledhjen e thirrjen e studiuesve me emër në nivel kombëtar e ndërkombëtar, e të tjera yçkla të pafundme që lindnin rrugës për një sipërmarrje të këtyre përmasave, aktiviteti u shty, me shpresën e përmirësimit të gjendjes në nëntor. Pjesën  tjetër e dimë të gjithë si rrodhi. Ndaj kësaj here, si riorganizimi, ashtu edhe konkretizimi i saj për ne të Qendrës merr dyfish rëndësi e përgjegjësi. Tema e Kuvendit përligj edhe përpjekjen tonë për të evidentuar situatën aktuale të studimeve për arbëreshët, një hap i domosdoshëm për ne për të kuptuar realisht në ç’stad ndodhen këto studime, por, po aq, për të orientuar dhe kristalizuar edhe rrugën tonë kryesore të kërkimit shkencor. Një pjesë e të ftuarve që do të kumtojnë në këtë Kuvend  kanë qenë edhe në organizimin e vitit të kaluar, si prof.Klara Kodra, prof.Ymer Ciraku, prof. Emil Lafe, prof. Italo Sarro, prof. Lucia Nadin, papas Antonio Bellusci, z. Agostino Giordano, të tjerë janë shtuar, kurse disa syresh që kishin shprehur miratimin dhe aderimin për të qenë kumtues në vitin e kaluar, sivjet, disa prej tyre si për shkak të moshës, po aq të frikës së përligjur nga pandemia, apo për shkak të impenjimeve të tjera të marra ndërkohë, nuk do të jenë, si p.sh prof. Rexhep Qosja (i cili ka qenë ndër të parët që ka dhënë miratimin entuziast për pjesëmarrje me kumtim), prof. Sabri Hamiti, prof. Gjovalin Shkurtaj etj. Do të jenë dy ditë të ngjeshura pune, nga mëngjesi deri në darkë. Ndërsa dita e tretë parashikon një konferencë shtypi brenda mjediseve të punës të QSPA-së ku, 4 a 5 studiues pjesëmarrës në Kuvend, do t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të kulturës mbi të ardhmen e çështjeve më të nxehta të studimeve arbëreshe.

Cilat janë temat që do të trajtohen? 

Do të flitet e debatohet mbi çështje të tilla si: studimet retrospektive arbëreshe; mbi dokumentimin e ripërpunimin e miteve të krijuara mbi lëvizjet e para të arbëreshëve në tokën italiane; mbi autorë të spikatur të kulturës së shkruar arbëreshe të së kaluarës, por po aq edhe të ardhmes; mbi domosdoshmërinë e përhapjes dhe shtrirjes së letërsisë e kulturës arbëreshe në territorin shqiptar e jashtë tij; mbi vëzhgimet e fenomeneve gjuhësore të arbërishtes e të dallimeve apo të përbashkëtave midis elementëve gjuhësorë të arbërishtes së dikurshme e të sotme; mbi përkthimin e disa veprave të autorëve arbëreshë; mbi përkthimin e liturgjisë ortodokse; por edhe mbi debatin shumë sensitiv të kohëve të sotme moderne, atij mbi rrezikimin eventual të gjuhës arbëreshe si dhe të mënyrave të matjes së këtij rrezikimi; të krizës identitare e gjuhësore të arbëreshëve të Kalabrisë dhe planit për të ecur në të ardhmen; të trashëgimisë kulturore të ruajtur tek Arvanitasit në Elladhë etj.

Shumë pak takime të këtij lloji, dhe me pak akoma botime e studime së fundmi (po të lëmë mënjanë këtu katër botimet e QSPA që janë një kontribut i madh në këtë fushë). Mungon interesi? 

Më lejoni të bëj një parashtesë të domosdoshme sipas meje dhe që, e kam përsëritur sa e sa  herë mediatikisht: vëmendja e studiuesve shqiptarë ndaj botës arbëreshe, ka qenë gjithmonë cilësore. Studimet e tyre kanë përbërë dhe përbëjnë bazën mbi të cilën ngrihet edhe puna e Qendrës. Kërkime, studime dhe botime mbi botën arbëreshe janë bërë edhe vazhdojnë të bëhen edhe në këto kohë. Në gjykimin tim, nuk mungon interesi, përkundrazi, por mbase ka munguar strategjia e koordinimit të gjithë kësaj pune e bërë kryesisht në bazë të një vullneti individual. Kjo përsa i përket botimeve. Ndërsa nëse flasim për organizime të kësaj fare siç është edhe Kuvendi i fund shtatorit me fokus ekskluziv arbëreshët, i ideuar dhe organizuar tërësisht nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, këto mbase kanë qenë të nevojshme të ishin zhvilluar përgjatë këtyre viteve. E këtu vijmë edhe tek rëndësia që ka kjo Qendër e cila duke qenë përfaqësuese e strategjisë së shtetit shqiptar ndaj çështjes arbëreshe, është ngritur me këtë qëllim e funksion themelor: përbashkimin brenda dhe jashtë Shqipërisë të forcave intelektuale që merren me studimin e universit arbëresh, bazuar në parimin e respektimit të lirisë dhe mëvetësisë akademike, por të mbështetur në një vizion afatgjatë që synon jo vetëm rijetëzimin e mbajtjen gjallë të trashëgimisë kulturore të shkruar e jo, por edhe krijimin e instrumenteve të duhur që garantojnë jo vetëm memorizimin e kësaj historie retrospektive arbëreshe, por edhe asaj të ardhme.

Kuvendi do të jetë mbarëkombëtar, pra të pranishëm do të jenë studiues nga të gjitha trevat shqipfolëse. A mund të themi se në fund të kuvendit do të kemi bazat për një strategji pune të përbashkët me të gjitha forcat studiuese që kanë pasur e kanë në vëmendjen e tyre çështjen e Arbërisë?

Pikërisht në funksion të këtij qëllimi që sapo shprehët ju, do të shërbejnë këto dy ditë. Por, jam e kënaqur t’ju them paraprakisht se nuk do të jetë vetëm ky Kuvend që do të bëjë të mundur pasurimin e strategjisë sonë të skicuar tashmë; në nëntorin e këtij viti, do të jetë një tjetër aktivitet i kësaj natyre, i organizuar në bashkëpunim me Institutin e Historisë së Akademisv së Studimeve Albanologjike, që do të merret eksluzivisht me panoramën e strategjive të shtetit shqiptar ndaj çështjes arbëreshe që nga lindja e tij deri më sot; ndërsa në mes të dhjetorit do të kemi një veprimtari ndërkombëtare me pjesëmarrjen e linguistëve dhe sociolinguistëve nga të gjitha kontinentet, në bashkëpunim me Federatën e Gjuhëve në Rrezik (FEL) me seli në SHBA ku kjo e fundit do të festojë 25 vjetorin e krijimit të saj pikërisht në Tiranë. Ftesa që na erdhi nga FEL për të mbajtur konferencën e tyre të radhës në bashkëpunim me Qendrën tonë këtu në Tiranë, ishte privilegj, nderim e përgjegjësi e madhe për ne. Midis debateve e diskutimeve mbi gjuhët e tjera të globit që janë rrezikuara nga zhdukja, do të ketë një sesion të veçantë kushtuar arbërishtes. Ky i gjuhëve të rrezikuara nga zhdukja, është edhe një nga debatet më të nxehta akademike aktualisht në nivel ndërkombëtar. Do të jenë rezultatet e këtyre tri aktiviteteve të rëndësishme studimore që do të përbëjnë edhe bazën prej ku do të ngrihet edhe strategjia e ardhshme e punës së Qendrës së Studimeve për Arbëreshët.

Programi i plotë këtu:

Programi Kuvendi Diturak / diasporashqiptare.al / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme