Nesër spektakël në qiell: Hëna e Përgjakshme do të shihet nga miliarda njerëz

6 Shtator, 2025 - 9:00 pm

Adhuruesit e qiellit do të kenë mundësinë të shohin nesër një nga fenomenet më të rralla dhe më mbresëlënëse natyrore – Hënën e Përgjakshme, ose eklipsin total hënor.

Sipas “Space”, eklipsi i plotë do të zgjasë 82 minuta, ndërsa i gjithë procesi do të marrë rreth pesë orë e gjysmë, nga ora 17:28 deri në 22:55 sipas orës lokale. Faza më e bukur e njohur si totaliteti do të ndodhë mes orës 19:30 – 20:52, kur Hëna do të marrë një nuancë të kuqërremtë.

Pamjet më të mira do të jenë nga Azia dhe Australia Perëndimore, por fenomeni do të jetë i dukshëm edhe në Evropë, Afrikë, Australi Lindore dhe Zelandë të Re. Në total, rreth 6.2 miliardë njerëz do të mund ta shohin fazën e plotë të eklipsit, ndërsa gati 7.1 miliardë do të shohin të paktën një pjesë të tij.

Ngjyra e Hënës do të varet nga kushtet atmosferike – pluhuri, ndotja dhe moti mund të ndryshojnë intensitetin e të kuqes, duke krijuar pamje të ndryshme nga vendi në vend. Në Evropë, Hëna do të lindë pjesërisht e eklipsuar, ndaj një horizont i hapur lindor do të jetë kyç për ta parë më qartë.

Për ata që nuk do të mund ta ndjekin fenomenin nga afër, transmetime live falas do të ofrohen nga The Virtual Telescope Project dhe Time & Date, ku astronomë dhe gazetarë do të sjellin pamjet më të bukura të këtij spektakli qiellor.

Eklipsi i fundit total hënor, i cili ndodhi në nëntor 2022, zgjati 1 orë e 25 minuta./KultPlus.com

Të ngjajshme