Mbrëmje artistike me V në Prishtinë, autorja amerikane që ka prekur zemrat e miliona lexuesve

7 Nëntor, 2023 - 1:01 pm

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” organizon ngjarjen e veçantë kulturore “Mbrëmje artistike me V”, që do të mbahet më 21 nëntor, nga ora 20:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.

“Mbrëmja Artistike me V” është një festë e letërsisë, artit, aktivizmit feminist dhe avokimit për ndryshime shoqërore.
V, një dramaturge, autore, interpretuese, feministë dhe aktiviste amerikane, e njohur më parë si Eve Ensler, ka prekur zemrat dhe mendjet e miliona lexuesve me veprat e saj të fuqishme.

“Shko aq larg sa të mos kesh më frikë të mos kthehesh.” – V

Veprat artistike të V dhe kontributi i saj aktivist kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në botë. Ajo renditet ndër autoret me numrin më të madh të kopjeve të librave të shitura nga lista e New York Times, me dramat dhe librat e saj të botuara në mbi 48 gjuhë dhe të interpretuara në mbi 140 vende. V është vlerësuar edhe me “Çmimin Tony” për arritjet në Teatrin Amerikan Broadway dhe “Çmimin Obie” për arritjet në shfaqjet e luajtura jashtë Broadway. Ajo njihet edhe për themelimin e “V-Day”, lëvizjes globale me bazë në komunitet për t’i dhënë fund dhunës kundër të gjitha grave dhe vajzave (përfshirë personat cis-gjinor, transgjinor, atyre që mbajnë identitet fluid, dhe jo-binar) dhe planetit. Ajo është themeluese e “One Billion Rising”, fushatës më të madhe për t’i dhënë fund dhunës kundër të gjitha grave dhe vajzave në mbi 200 vende, si dhe bashkëthemeluese e “City of Joy”, një qendër revolucionare udhëheqëse për gratë kongoleze të mbijetuara të dhunës në Bukavu të Republikës Demokratike të Kongos.

“Mbrëmja Artistike me V” ofron një mundësi unike që përmes diskutimit të njoftoheni me perspektivat e saj depërtuese mbi letërsinë dhe përkushtimin e V ndaj kauzave aktiviste feministe e ndryshimeve shoqërore.

Diskutimi do të shoqërohet me interpretime artistike të copëzave nga krijimet letrare të V, të interpretuara nga shkrimtaret/ët dhe artistet/ët e Ansamblit të Artpolis. Mbrëmja do të moderohet nga Zana Hoxha, Themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Artpolis. / KultPlus.com

Të ngjajshme