Netflix anulon serialin turk me protagonist një homoseksual, 5 milionë dollarë humbje

27 Korrik, 2020 - 8:55 pm

Gjiganti i filmave “streaming”, Netflix, sapo ka anuluar një serial të ri, që do të xhirohej në Turqi. Shkak për këtë vendim drastik, u bë roli i një homoseksuali dhe kjo, nuk do të shmangej as me ndryshimin e skenarit.

Netflix ka anuluar serialin “Nëse vetëm” – “If Only” (“Şimdiki Aklım Olsaydı”) veç një natë para fillimit të xhirimeve. Platforma e filmave “streaming” nuk ia doli, megjithë negociatat për të marrë lejen për fillimin e xhirimeve, nga RTÜK – Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit të Turqisë. Veçanërisht prodhuesit e filmave të huaj në Turqi, si Netflix, duhet të paraqesin skenaret e filmave të planifikuar pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për të marrë lejen, që ka nën kompetencë punën e RTÜK. Edhe kineastët vendas, shpesh janë nën mbikëqyrjen e shtetit.

Autorja e skenarit, Ece Yorenc, u shpreh për portalin turk të kinemasë, “Altyazi Fasikul”, se “leja e xhirimit për serinë nuk u mundësua, pasi filmi përmban një protagonist homoseksual.” Ajo shtoi, se filmi nuk përmban asnjë lloj episodi ku nënkuptohet marrëdhënie intime mes homoseksualëve apo diçka e ngjashme. Më herët, në mediet turke ka pasur informacione të pasakta, që tregonin variantin e kundërt – sipas Yorenc – e cila shtoi se, ky akt censure është “shumë shqetësues për Turqinë, në kontekstin e asaj që na pret.”

Vendimi pesëmilionë dollarësh

Sipas Netflix pjesa me protagonistin homoseksual, Osman, ishte një rol dytësor në serialin “If Only”. Subjekti i serialit ishte përvoja e një nëne të martuar e jo të lumtur, Reyhanit. Seriali do të ishte gati në vitin 2021, por tanimë ajo u anulua plotësisht. Skenaristja Yorenc, me gjasë kishte ofruar ndryshime në minutën e fundit, për të marrë parasysh edhe standardet e RTÜK-së, raporton plataforma “Altyazi Fasikul”. Por, sipas revistës amerikane, “Variety Magazine”, Netflix kishte preferuar anulimin e të gjithë prodhimit. Megjithatë, Netflix është shprehur se pagesat e premtuara për ekipin e serialit “If Only”, do të kryhen plotësisht. Pas anulimit të serialit, Netflix humbet 5 milionë dollarë. Por, firma ka theksuar, se “ndjen detyrim të thellë, për abonentët në Turqi dhe komunitetin krijues atje.”

Sipas Yorenc, Netflix e mori këtë vendim të vështirë në minutën e fundit, parimisht, sepse refuzon të pranojë ndryshime skenari nga qeveria. Mahir Ünal, ministri turk për Kulturën dhe Turizmin, shkroi më vonë në Twitter, se ai beson fort se, Netflix do të tregojë “më shumë sensibiliet për kulturën dhe artin turk, në emër të një bashkëpunimi të ngushtë (me Turqinë).”

Turqia: Mes lirisë dhe autoritarizmit

Kultura turke e përmendur nga Mahir Ünal, duket se nuk është aq në kundërshtim me vetë Netflix, por me historinë e saj: Nën performuesit dhe njerëzit më të njohur në historinë moderne turke, bëjnë pjesë një transseksual (Bülent Ersoy), një Drag Queen (Huysuz Virjin) dhe një homoseksual (Zeki Müren) – të gjithë kanë arritur suksesin në shoubiznes, para se të përmendeshin nocione si: martesa mes homoseksualëve, apo masa të tjera mbrojtëse për komunitetin LGBTQ.

Që nga themelimi i Turqisë moderne, në vitin 1923, nga Mustafa Kemal Atatürk, nuk ka pasur ligje kundër homoseksualitetit. Në vitin 1934 u përfshi e drejta e votimit për gratë, para shumë vendeve të tjera, mes tyre edhe disa vende perëndimore. Por, megjithë këtë qëndrim të moderuar në dukje, në vendin me shumicë myslimane, Turqia po haset me një luftë kulturore, ku orientimi seksual është një nga temat që e përçajnë shoqërinë. Prej pesë vitesh, në Stamboll janë ndalur aktivitetet e ditës së njohur si “Christopher Street Day”. Policia ndërhyn brutalisht, ndaj atyre që i shkelin këto ndalime.

Diplomacia e tipit Netflix

Ndërkohë, duket se Netflix mban distancë nga konfrontimet me qeveritë e huaja. Në vitin 2019 u ndalua seriali-komedi “Akt patriotik me Hasan Mihaj” nga oferta e Netflix në Arabinë Saudite, pasi autoritetet arabe të mbikëqyrjes së telekomunikimit kishin thënë se, kjo shkel ligjin kundër kriminalitetit kibernetik. Episodi, në të vërtetë paraqiste në mënyrë satirike princin trashëgimtar saudit, Mohamed bin Salman, për bashkëpërfshirjen e tij, të dyshuar në vrasjen e gazetarit, Jamal Khashogi.

Organizatat si “Amnesty International” e kritikojnë mënyrën e veprimit të Netflix, si edhe faktin që firma ende qëndron në tregun saudit. Kurse në Turqi, Netflix është aktiv që në vitin 2016 dhe ka 1,5 milionë abonentë. Megjithatë, entuziazmi për serialet që mbajnë emrin Netflix, nuk është shumë i madh. Por kjo është e qartë: Netflix, nuk mund t’i konkurrojë serialet e televizioneve turke. Shumica e popullsisë turke, ende ka televizionin burim kryesor informacioni. /Konica.al /KultPlus.com

Të ngjajshme