11 Korrik, 2025 - 3:34 pm
Në ambientin e fshatit piktoresk të Kukajt, nisi mbrëmë edicioni i 15-të i Etno Fest 2025 – një nga ngjarjet më unike kulturore në Kosovë, që prej vitit 2011 ka ruajtur dhe promovuar identitetin kulturor përmes artit dhe trashëgimisë. I konceptuar si festival i kulturës tradicionale dhe bashkëkohore, Etno Fest sivjet u hap me një atmosferë të veçantë dhe program të pasur, që ndërthur artin, teatrin, muzikën dhe ekspozitat në hapësirat autentike të etnokompleksit të Kukajt.
Nga rrënjët e traditës në një festival ndërkombëtar
Etno Fest ka nisur në qershor të vitit 2011, me një program të larmishëm multimedial që përfshinte ekspozita pikturash, skulpturash dhe etnoeksponatesh, shfaqje teatrale studentore dhe nga skena shqiptare, performanca figurative, instalacione, koncerte, debate, promovime librash, biseda odash, këngë dhe lojëra të vjetra, si dhe ushqime tradicionale.
Përveç afirmimit të trashëgimisë kulturore dhe interpretimit të saj modern, festivali ka ndikuar në jetën e komunitetit të Kukajt. Falë Etno Festit, shumë banorë janë kthyer në fshat dhe të rinj të tjerë janë vendosur aty. Infrastruktura kulturore e Kukajt është zhvilluar ndjeshëm, duke e shndërruar këtë fshat në një destinacion me identitet të veçantë në Kosovë dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit.
Sot, etnokompleksi i Kukajt përmban 12 skena, teatro dhe amfiteatro, një muze etnografik, dhjetëra galeri dhe stenda ekspozuese, furra tradicionale, oxhaqe, tre etno bare dhe dy restorante. Këtë vit, festivali është zgjeruar edhe me një skenë të madhe për ngjarje me mbi 1000 spektatorë. Me pjesëmarrje artistësh dhe grupesh nga vende të ndryshme, Etno Fest po konsolidohet si një festival prestigjioz ndërkombëtar.
Etno Fest si oazë frymëzimi për artin
Objektet përreth si “Oda Dauti” dhe “Kulla Dielli” e kanë futur fshatin në hartën e turizmit agro-kulturor. Kjo i jep artistëve mundësi të krijojnë vepra në prekje të drejtpërdrejtë me trashëgiminë, duke ndërtuar lidhje kulturore me vizitorët.
Edicioni i 15-të u hap në një ambient të mbushur me art vizual: piktura dhe skulptura që trajtojnë tema si dashuria, dhembja, sakrifica, urtia, revolta e paqja, duke reflektuar për fuqinë e artit në përshfaqjen e emocioneve njerëzore dhe për identitetin kulturor që përcjellin.
Fadili Hysaj, ideatori dhe nikoqiri i Etno Festit, hapi festivalin me dramën “Dardha pas bunarit” me regji nga Ilirana Arifi dhe tekst nga Arta Arifi. Ai kishte konceptuar një hapje ndryshe këtë vit, duke ftuar mysafirët në një vizitë në ambientet e festivalit, të mbushura me ekspozita të artit pamor dhe instalacione.
Ekspozita që prekën zemrën
Ekspozitat e para u hapën me punimet e artistit Sabri Behramaj nën temën “Gjëma e Tokës”, që përmes skulpturave për Leutrimin dhe Nënë Salë të Jasharajve, trajtonin identitetin e dhembjes dhe sakrificës. Instalacioni me fotografi “Të kam në mendje” nga Malda Susuri provokoi emocione të fuqishme.
Ekspozita kolektive “Një dhe më shumë”, kuruar nga Nita Qahili, përfshinte gjithashtu ekspozitat personale të artistit turk nga Qipro, Umit Inaci, si dhe fotografitë e Yllka Fetahajt me titull “Identitet i fiksuar në fotografi”. Regjisori Ilirian Himaj prezantoi një ekspozitë me piktura ekspresive, ndërsa Gëzim Muriqi solli “Ridimensionime”, ku spikaste figura e Rozafës në dy dimensione.
Një tjetër vepër e veçantë ishte “Qilimi fluturues i gjyshes”, një punim i përbashkët i piktorëve Emona Deda, Laureta Vogliqi dhe Ron Halili, i realizuar në platonë – një hapësirë e re që synon të bëhet oazë e përhershme frymëzimi për artistët.
Fjala e mirëseardhjes dhe shfaqjet artistike
Pas prezantimit të ekspozitave dhe punimeve, Fadil Hysaj i dha fjalën kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për të shpallur të hapur edicionin e 15-të të Etno Fest-it. Rama e vlerësoi festivalin si një ngjarje që përfaqëson shpirtin krijues të Prishtinës dhe Kosovës, duke e quajtur atë një “vendart” që na bën krenarë.
Pas ceremonisë së hapjes, performoi grupi folklorik nga Gostivari, Maqedonia e Veriut, ndërsa në “etno nejë”, atmosfera u gjallërua nga këngëtarja Malda Susuri e cila solli këngë të përpunuara nën shoqërimin e bendit të saj.
Etno Fest 2025 sapo ka filluar dhe pritet të vazhdojë me aktivitete që ndërthurin të kaluarën me të tashmen, traditën me bashkëkohoren, duke krijuar kështu një platformë unike për shprehjen kulturore në zemër të Kosovës./KultPlus.com