Një oqean i ri po krijohet në Afrikë

18 Korrik, 2020 - 4:29 pm

Matjet e reja satelitore ofrojnë të dhëna të çmueshme për studimin e çarjes tektonike në një prej vendeve më të pazakonta gjeologjike në planet, shkruan të shtunën rrjeti amerikan NBC.

Në atë vend, që paraqet njërën prej pikave më të nxehta në Tokë – përgjatë rajonit Afar, në Afrikën Lindore – mund të qëndrosh saktësisht në vendin ku, thellë nën tokë, kontinenti po ndahet.

Ky vend ndodhet përfundi bashkimit të tri pllakave të mëdha tektonike, të cilat gradualisht po shkëputen njëra nga tjetra. Është ky një proces i komplikuar gjeologjik, për të cilin shkencëtarët thonë se pas disa miliona vitesh do ta ndajë në dysh Afrikën, duke krijuar një oqean të ri.

Tani për tani, dëshmia më e qartë është çarja e re, e gjatë 56 kilometra, në shkretëtirën e Etiopisë.

Lëvizjet tektonike në kontinentin afrikan janë duke u studiuar tash e sa dekada, derisa matjet e reja satelitore po ndihmojnë që të përcillen dhe kuptohen më mirë këto ndryshime.

“Është ky i vetmi vend në tokë në të cilin mund ta studiojmë se si po krijohet një oqean”, ka thënë Christopher Moore nga Universiteti britanik Leeds. /KultPlus.com

Të ngjajshme