Nuk plotësohen kërkesat nga Qeveria, BSPK: Grevë më 12 maj, e më pas protesta në tërë Kosovën

28 Prill, 2022 - 1:42 pm

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) janë dakorduar që më 12 maj të mbahet grevë një orëshe, me arsyetimin se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Arsyetimi i dhënë nga BSPK ishte se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka thënë se vendimi ka qenë unik dhe se krahas kësaj greve, do të mbahet edhe protestë më 20 maj në Prishtinë.

“Sapo përfunduam mbledhjen e BSPK-së dhe u them se jemi shumë unik me të gjitha kërkesat dhe të gjitha veprimet që do t’i marrim në të ardhmen. Ne sot vendosëm që krahas që është hapur një tunel i vogël i dialogut social me Qeverinë e Kosovës ne do të vazhdojmë me veprimet tona. Më datën 12 maj kemi vendos që të fillojmë me një grevë 1 orshe për të gjithë të punësuarit e Kosovës dhe vazhdojmë me protestën me 20 maj me protestën e veprimet tjera sindikale”, tha ai.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës në Kosovë (SBASHK), Rrahman Jashari, tha se si sindikatë nuk e kanë mbyllur derën e dialogut me Qeverinë.

Ai ka paralajmëruar protestë madhështore, duke thënë se të gjithë të punësuarit do të jenë në shesh.

“Krahas unitetit të jashtëzakonshëm që është në SBASHK tash ky unitet ka kaluar edhe në BSPK dhe gjërat po i bëjmë bashkë. Ne nuk e kemi mbyll derën për dialog. Kryetari ynë bashkë me ekipet do të vazhdojë dhe do të mirëpres çdo takim me Qeveri. Pritja jonë është deri me 12 dhe do të ketë një grevë në tërë Kosovën. Pas kësaj greve do të kemi një protestë besoj madhështore ku të gjithë të punësuarit e Kosovës do të jenë në sheshin “Skënderbeu”. Nëse edhe këto dy javë nuk arrijnë marrëveshje atëherë pas protestës së 20 majit, Sindikatat do të shkojnë në grevë të përgjithshme duke paralizuar sistemin arsimor por edhe sektorë tjera”, tha ai. /KultPlus.com

Të ngjajshme