Nxënësit e klasave të para në Kosovë dhe Shqipëri me një abetare të përbashkët

20 Gusht, 2022 - 3:20 pm

Nxënësit e klasave të para në Kosovë dhe Shqipëri nga shtatori do të mësojnë me një Abetare të përbashkët, një nismë që kishte filluar kohë më parë, më në fund po bëhet realitet, shkruan KultPlus.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku është thënë se kanë përfunduar të gjitha procedurat lidhur me këtë çështje.

Ajo tha se nga 1 shtatori, së bashku me ministrin e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi, do të “inaugurojnë” shkollën e përbashkët Fillore.

“Sa i përket Abetares së përbashkët, edhe për këtë kanë përfunduar të gjitha procedurat. Kemi kërkuar nga shtëpia botuese që kopja digjitale të dërgohet në shkolla, në mënyre që mësuesit e klasës së parë të përgatiten dhe të punojnë suksesshëm me këta nxënës. Uroj që mos të kemi probleme serioze dhe më 1 shtator, vogëlushët e klasës së parë, të kenë Abetaren në duart e tyre”, tha ajo.

“Kemi planifikuar dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi ka shprehur gatishmërinë dhe dëshirën që të jetë më 1 shtator këtu, në Kosovë që të përurojmë bashkë këtë abetare”, tha Nagavci, duke shtuar “njëjtë të jemi dhe ne në fillimin e vitit të ri shkollor, në Shqipëri duke u siguruar që edhe atje vogëlushët do ta kenë Abetaren e re dhe do të punojnë me të njëjtën tekst që nga klasa e parë”. /KultPlus.com

Të ngjajshme