NYT shkrim për Bienalen e Venecias, përfshin dhe Pavijonin e Kosovës

19 Prill, 2024 - 6:17 pm

Ekspozitat janë instaluar. Artistët kanë ardhur. Qyteti i Venecias është i përgatitur për të mirëpritur turmat e vizitorëve nga e gjithë bota.

Kështu e nis shkrimin gazeta e madhe amerikane, “The New York Times” për hapjen e Bienales së Venecias, e cila zyrtarisht u bë të enjten.

Bienalja e Venecias 2024, që ka mbledhur më shumë se 330 artistë pjesëmarrës nga rreth 90 vende të shpërndara në të gjithë qytetin, do të hapet për publikun të shtunën.

Gus Powell, një fotograf për “The New York Times”, ka dalë në terren duke mbuluar spektaklin që e bën Bienalen një nga ngjarjet kryesore në kalendarin global të botës së artit.

Në mesin e pjesëmarrësve është edhe ekipi i Kosovës me veprën “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”.

Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” është vepër e artistes Doruntina Kastrati dhe kuratorës Erëmirë Krasniqi, që sivjet përfaqësojnë Pavijonin e Republikës së Kosovës në Venecia.

NYT e ka përfshirë edhe instalacionin e Kosovës përmes një fotografie me një mbishkrim: “Një përqafim mes instalacionit skulpturor ‘Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës’, në pavijonin e Republikës së Kosovës”./KultPlus.com

Të ngjajshme