Organizata ndërkombëtare kritikojnë Qeverinë për shtyrje të pagesave për vepra audiovizuale

6 Nëntor, 2020 - 9:06 am

Organizata e shoqata ndërkombëtare e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për shtyrje të afatit të pagesës së tarifave për veprat audiovizuale me të drejta autoriale. Një gjë e tillë, deri më tash, është vlerësuar si akt i papranueshëm nga tri organizata, të cilat kanë përvojë të gjatë në këtë fushë.

Të premten e javë së kaluar Qeveria me propozim të ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, ka ndryshuar Vendimin që mori më 19 tetor sa u përket tarifave të përgjithshme mujore për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur me rastin e ritransmetimit. Në vendimin paraprak Qeveria kishte vendosur që Vendimi të hynte në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare. Publikimi bëhet rreth dy javë pas miratimit të një vendimi. Por ekzekutivi ka vendosur që operatorët kabllorë të mos kenë kurrfarë detyrimi për pagesën e tarifave deri në ditën e parë të prillit të vitit që vjen.

Janë “Association of European Performers’ Organisations” (Asosiacioni i Organizatave Evropiane të Performuesve), “The Societies’ Council for the Collective Management of Performer’ Rights” (Këshilli i Shoqërive për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave të Performuesve) dhe “Writers & Directors Worldwide”(Shkrimtarët dhe Regjisorët në Mbarë Botën) që i janë drejtuar me shkresa Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Kulturës.

“Association of European Performers’ Organisations” me seli në Bruksel, që përfaqëson 400 mijë artistë nga 26 shtete, përmes shkresës së të mërkurës i është drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti se shoqata e Kosovës VAPIK është duke u ballafaquar me kundërshtim të operatorëve kabllorë sa u përket pagesave të tarifës.

“Kjo është e dëmshme jo vetëm për interpretuesit në Kosovë, por më globalisht për të gjithë interpretuesit në Evropë dhe më gjerë, e po ashtu për rolin e tyre themeltar në kulturë. Me këtë letër dëshirojmë t’i shprehim mbështetjen tonë VAPIK-ut dhe t’ju bëjmë thirrje që të siguroheni që tarifat e vendosura nga Qeveria të zbatohen”, shkruhet në letrën e nënshkruar nga Tilo Gerlach, president i AEPO-ARTIS. Sipas Asociacionit, të drejtat e shpërblimit dhe menaxhimi i tyre kolektiv janë elementet kryesore në mbrojtjen e interpretuesve dhe garantojnë që ata të marrin shpërblim të drejtë dhe proporcional kur prodhimet e tyre përdoren në transmetime.

“The Societies’ Council for the Collective Management of Performer’ Rights” ia ka bërë me dije kryeministrit Hoti se çdo vit anëtarët e këtij Këshilli mbledhin mbi një miliard euro në emër të qindra mijëra interpretuesve. Në letër shkruhet se këto para u shpërndahen interpretuesve individualë prodhimet e të cilëve shfrytëzohen. Këshilli ka sqaruar se këto të ardhura ndihmojnë muzikën globale dhe ekonominë audiovizuale duke u mundësuar interpretuesve të vazhdojnë punën e tyre pasi bëhet fjalë për profesione që nuk ofrojnë siguri në të ardhura.

“Përmes grupit të tij të përkushtuar të bashkëpunimit dhe zhvillimit, SCAPR po ofron ndihmë për të gjitha shoqatat që janë apo jo anëtare të SCAPR. Duke thënë këtë, është sjellë në vëmendjen tonë që shoqata zyrtare audiovizuale në Kosovë, VAPIK, po lufton me zbatimin e tarifave audiovizuale për ritransmetimin kabllor që kanë qenë të miratuara së fundmi nga Qeveria e Kosovës”, shkruhet në letrën e nënshkruar nga drejtoresha Eanna Casey dhe drejtori menaxhues Rémy Desrosiers. Këshilli me seli në Bruksel ka kërkuar që tarifat të jenë të vendosura në mënyrë të pavarur dhe të jenë të ekuilibruara ekonomikisht.

“Ne mbështesim zbatimin e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të përfitojnë gjithë interpretuesit”, shkruhet në këtë letër.

E “Writers & Directors Worldwide” është një organizatë që përfaqëson krijuesit audiovizualë nga 70 organizata të menaxhimit kolektiv në 62 vende të botës. Merret veçanërisht me regjisorët, skenaristët e filmave, programeve televizive dhe produksione të fushave të tjera. Organizata promovon interesat e tyre dhe garanton që ata të marrin pagesa për përdorimin komercial të veprave të tyre. Organizata me seli në Neuilly-sur-Seine të Francës është monitoruese e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale.

“Mision thelbësor i shoqatës në të gjithë botën është të mbështesim luftën e regjisorëve dhe skenaristëve për njohjen e tyre me ligjet kombëtare të së drejtës së autorit dhe shpërblimit të drejtë për çdo përdorim të punës së tyre. Ne duam të shprehim mbështetjen tonë në luftën që po bëjnë kolegët tanë të VAPIK-ut në Kosovë. Përdoruesit nuk mund të përdorin negociata të pafundme si një taktikë vonese për të shmangur pagesat për të drejtat e autorëve”, shkruhet në letrën e nënshkruar nga Yves Nilly, president i shoqatës.

Qeveria e Kosovës pa u bërë një javë nga miratimi i tarifave, i kishte rënë pishman veprimit të saj. Në ditën e 30-të të muajit të kaluar ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, kërkoi plotësimin dhe ndryshimin e vendimit. Vendimi i është plotësuar duke precizuar se tarifat janë mujore, si dhe ka kërkuar që zbatimi të shtyhet për në prill. Pandemia ka qenë një prej arsyetimeve.

Tarifat kanë mbetur në vlera të njëjta dhe bazohen sipas grupimit të kanaleve televizive: deri në 70 kanale televizive – 0.30 euro për abonues; nga 71 deri në 100 kanale televizive – 0.35 euro për abonues; nga 101 deri në 150 kanale televizive – 0.40 euro për abonues; dhe mbi 151 kanale televizive – 0.45 euro për abonues.

KOHA të enjten ka adresuar pyetje edhe në Zyrën e kryeministrit Avdullah Hoti.

“Ju lutem që për këto çështje t’i drejtoheni kabinetit të ministres së Kulturës, zonjës Vlora Dumoshi. Kjo çështje është pjesë e përgjegjësive të kësaj ministrie”, ka thënë në një përgjigje me shkrim Antigona Baxhaku, këshilltare politike e kryeministrit Hoti.

Të enjten ministrja Dumoshi nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës për reagimet ndërkombëtare për këtë çështje, përderisa katër ditë më parë, të hënën, nuk e kishte qartësuar procesin e ndryshimit të vendimit. Pasi që ka thënë se kjo është bërë me vendim të kryeministrit, ajo i kishte rekomanduar KOHËS që për këtë çështje të kontaktohet Valon Kashtanjeva, drejtor i Zyrës për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta.

Kashtanjeva s’i ka komentuar reagimet e organizatave të huaja, ani pse dy prej tyre i adresohen edhe Zyrës që ai drejton.

“Vendi duhet patjetër të ketë tarifa të aplikueshme. Vetëm me tarifa të aplikuara për ritransmetimin e lëndës që mbrohet me të drejtën e autorit zbatohet ligji. Tarifat janë obligim kushtetues e ligjor për vendin tonë, si dhe obligim i paraparë në kuadër të zbatimit të MSA-së”, ka thënë ai. Sipas Kashtanjevës, mbajtësit e të drejtave, autorët, performuesit, producentët dhe transmetuesit televizivë duhet të marrin kompensimin adekuat për materialin e tyre që ritransmetohet.

“Tarifat dhe aplikimi i tyre siguron zbatimin e ligjit dhe ofron siguri juridike edhe për ritransmetuesit si shfrytëzues të materialit që mbrohet me të drejtën e autorit”, ka thënë ai.

Më herët kishte thënë se Komisioni i ka bërë propozimet e veta qysh në dhjetor të vitit 2019. Ka sqaruar se janë shterur të gjitha mundësitë ligjore sa i përket përcaktimit të tarifave. Ka thënë se palët fillimisht kanë shkuar në negociata dhe nuk janë marrë vesh. Sipas tij, më pas ka pasur ndërmjetësim por edhe ky proces ka rezultuar i pasuksesshëm. Ka thënë se, sipas Ligjit për të drejtat e autorit, kushdo që shfrytëzon materialin e mbrojtur me të drejtën e autorit duhet të bëjë edhe kompozimin për të.

VAPIK ka qenë në negociata që nga viti 2013 me operatoret kabllorë për mbledhjen e të ardhurave për të drejtën e autorit të parapara me ligj. Pas gjashtë vjetësh, më 2019, me vendim të Qeverisë, MKRS-ja themeloi një komision ndërministror, i cili angazhoi një ekspert të huaj që në mënyrë të paanshme të sugjerojë tarifat me të cilat operatorët kabllorë u detyrohen artistëve vendorë dhe të huaj pasi që shfrytëzojnë veprat e tyre në ritransmetim.

Shoqata ka reaguar të hënën duke thënë se vendimi i ri i Qeverisë është marrë pa konsultuar të gjitha palët.

“Ky vendim u mor pa pjesëmarrjen dhe pa u konsultuar me Shoqatën për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave të Autorit, si pala tjetër në këtë marrëveshje; dhe pa prezencën e Zyrës për të Drejtën e Autorit, si pala neutrale përfaqësuese e Qeverisë dhe propozuese e tarifës”, shkruhet në atë që VAPIK e ka titulluar “Reagim ndaj pishman-fermanit për të drejtën e autorit”. Sipas shoqatës, është në interes të operatorëve kabllorë që procesi të mos ketë asnjëherë sukses. Sipas shoqatës, vendimi i ri i Qeverisë godit në mënyrë direkte shtëpitë mediale, krijuesit e interpretuesit që bartin të drejtat e autorit. Të enjten gazeta ka adresuar pyetje te tre operatorët kryesorë kabllorë në Kosovë: “IPKO”, “Kujtesa” dhe “Art Motion”. Përderisa nga IPKO-ja kanë thënë se po i përgatisin përgjigjet, dy të tjerët s’janë lajmëruar fare./ Koha.net / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme