Oriana Fallaci, portreti i mitit të gazetarisë përmes kumtimit të dy kolegëve

15 Shtator, 2023 - 4:30 pm

Nga Albert Vataj

Më 15 shtatur 2006 u shua Oriana Fallaci, një gazetare, një grua, një mit. Oriana Fallaci, ikona e gazetarisë dhe Zhan D’Ark e ambicies dhe vetmohimit të gruas në një rruzull dinjitetesh të nëpërkëmbura, anësishë dhe kufizimesh të mëdha që dikton predikimi i moralit të shekullit të XX e këndëj, strukur pas hekurave të konservatorizmit. “Një pikë bojë mjafton për të zgjuar mendime në miliona njerëz”. Kjo pikë boje e penën e Fallacit ka bërë që bota të ndalë frymën kur flet për këtë gazetare të madhe italiane, për penën e ndritshme të gazetarisë në shekullin e XX. Kjo është suaza ku Xhorxh Bajron korrnizon portretin e jashtëzakonshëm të Oriana Fallaci, gazetare dhe publicist, kronikane dhe shkrimtare, e cila ka plazmuar në eterin e shekullit të shkuar e në të tashmin, jo vetëm emrin dhe imazhin e femrës ngadhnjimtare, por edhe gruas vetmohuese për pasionin e saj të shenjtë, dëshmimin e lajmit, kushtrimin e zëshëm të lirisë së fjalës.

Shkrimtarja lindi më 29 Qershor të 1929 dhe u nda nga jeta më 15 shtator të 2006. Është gazetare, autore dhe intervistuese e njohur politike. Ajo intervistoi Sheikh Mujibur Rahman, Dalai Lama, Henry Kissinger, Shahu i Iranit, Ayatollah Khomeini, Deng Xiaoping, Willy Brandt, Zulfikar Ali Bhutto, Walter Cronkite, Muammar al-Gaddafi, Federico Fellini, Sammy Davis Jr, Nguyen Cao Ky, Yasir Arafat, Indira Gandhi, Alexandros Panagoulis, Arkpeshkvi Makarios III, Golda Meir, Nguyễn Văn Thiệu, Haile Selassie, Sean Connery dhe Lech Wałęsa.

Ky është portreti i panjohur i Oriana Fallaci-t, publicistes së panjohur më të madhe italiane, i bërë kur ajo ishte gjallë nga dy kolegë të saj më të rinj, Lucia Annunziata dhe Carlo Rossella

Nuk është intervistë. Dihet që Oriana Fallaci nuk jep më të tilla. Eshtë thjesht një portret që lindi ashtu rastësisht, rezultat i një përkimi të beftë (për fatin tonë të mirë) dhe i një miqësie të vjetër. Ne dhe Fallaci-n na shoqëroi në Neë York rastësia, e cila na vendosi në hall-in e një hoteli ku ne u gjendëm me Zemërim dhe krenari -në e saj në dorë. E kishim marrë nga botuesi në Romë tridhjetë e gjashtë orë më parë, pra në të njëjtin çast që po ankorohej edhe nëpër librari. Ndërkohë që në Neë York libri nuk kishte mbërritur dhe Fallaci nuk e kishte parë ende.

Që larg, ajo e dalloi menjëherë kapakun e kuq me shkronja ngjyrë ari. E kishte projektuar dhe dashur vetë, sepse edhe në kapakët e librave të saj ajo është e saktë deri në hollësinë më të vogël dhe e kujdesshme ndaj çdo nuance. Shenjë kuptimplote kjo e pasionit përkushtues që i rezervon ajo punës. Takimi me ato dy kopje të para ishte mbresëlënës. U lëshua me vrull drejt “librit të saj të dashur”. Dhe së bashku me librin na takoi edhe ne. Ajo që u shmanget dhe u largohet të gjithëve. Ishte mbrëmje, e enjte 13 dhjetor. Po ajo mbrëmje kur u transmetua shiriti-rrëfim i Bin Laden-it. Ne donim dhe duhet ta shihnim. Por edhe ajo donte dhe duhej ta shihte. Kështu, përfunduam në shtëpinë e saj. Pikërisht në atë kështjellëz të mbrojtur nga  dy palë kangjella dhe nga dera e cila nuk hapet kurrë. Që të tre u gjendëm përpara televizorit. Të mbërthyer pas ekranit duke dëgjuar Bin Laden-in, ose më mirë talljet që u ofronte ai qindra të vdekurve kur thoshte: “E kishim parashikuar, por nuk e pandehnim kaq…” Zërin e tij e pasonte Fallaci. Me zë të ngjirur, të mbushur me  zemërim dhe me dhimbje, ajo përsëriste vazhdimisht: “I mallkuar. I mallkuar. I mallkuar…”.

U takuam përsëri të nesërmen. Ne kishim marrë me vehte një regjistrues. E bindëm që të pranojë (“Të betohemi: nuk do të jetë një intervistë!”). Ishte kjo një ditë e gjatë. Dhe për habinë tonë ne u gjendëm në të njëjtën rrugë që ajo kishte përshkruar duke shkruar Zemërim dhe krenari. Siç do e shihni edhe forma përkon me të (kllapa, viza ndarëse, nënkapituj).  Ngadalë ngadalë, biseda u largua nga të rejat më të fundit, nga talljet e Bin Laden-it, nga thëniet e tij se e kishim parashikuar, por jo kaq… Pra, pak e nga pak, kjo bisedë mori formën e një portreti. Të portretit të saj. Një portret ky I skicuar me pasion.

LIBRI

Po  me pasion janë shkruar edhe ato faqe që ajo krejt pa vend i përmbledh me fjalën “libërth”. Ai botim sa i pritur aq edhe i papritur. Numri i kopjeve të shitura është marramendës. I paralajmëruar në mëngjesin e së martës, më 11 dhjetor dhe i dalë në libraritë në mëngjesin e datës 12, deri në mbrëmje vonë të po kësaj dite, të 200 mijë kopjet e botimit të parë ishin shitur pothuajse në të gjitha qytetet.Që nga ai çast, Zemërim dhe krenari vazhdon të ribotohet pambarimisht. Nga shtypshkronja e Rizzoli-t dalin çdo ditë 50 mijë kopje. Në prag të Krishlindjeve libri numëronte 500 mijë të tilla. Ai ofron pranë librarive edhe njerëz që nuk kishin hyrë kurrë më parë në to. Ata vihen në rradhë, presin dhe blejnë më shumë se një kopje…Një precedent ky i paparë në mjedisin e botimeve.

Por nuk është numri i kopje të shitura ai që ka rëndësi, por fakti se ky libër përvijoi në Itali konturet e një konflikti, atij mes botës perendimore dhe asaj islamike. Pa u mëdyshur për asnjë çast, pa “nëse” dhe “por”, pa pluskuar në ujrat e gjithçka-është-e mundur, e cila sipas saj përbën një nga të metat më të rënda të Itali-së, Oriana Fallaci e ka trajtuar çështjen me një thjeshtësi të hekurt. Jemi të ndryshëm, është shprehur ajo. Dhe për rrjedhojë edhe të papërputhshëm. Prapa kësaj lufte, vijon ajo, ka vetëm një zgjedhje: ajo mes qytetërimit tonë dhe besimit të tyre. Pra, zgjedhje mes nesh dhe tyre. Është hedhur pas krahëve epoka e ekumenizmit, sepse pozicionimi I tij I dhunshëm i hodhi në erë edhe rrënojat e fundit të “politically correct” (politikisht të rregullt). Po ashtu edhe koncepti i gjithëpërfshirjes në një shkallë të gjerë, i cili u përkthye praktikisht në një humbje identiteti. Edhe ideja e relativitetit kulturor, i cili rrugës u shtrembërua në relativizëm etik. Si dhe paaftësia për të vendosur dhe për të mbrojtur ndryshimin. (Folja “mbroj’ zë një vend kyç në fjalët e Fallaci-t dhe gjatë bisedës çështja që trajtohet shndërrohet në një thirrje).

Mos vallë duhet të na habisë fakti se përse kjo thirrje ndezi një zjarr të tillë debatesh dhe pikëpërputhjesh? Se përse një gjë e tillë ndodhi në një vend si ky i yni, i fuqishëm dhe gjithë muskujt, vend ky nga i cili fillon Jugu i Botës, një vend i rritur në ekuilibrin e paqëndrueshëm të Luftës së Ftohtë, një vend në të cilin emigrantët myslymanë shtien tmerrin dhe ku njësitë e Al-Qaida-s prodhojnë pasaportat e rreme? Po politikanët dhe intelektualët, dy kategoritë me të shënjuara nga Fallaci, a nuk e pyesin ndonjëherë vehten se përse ky libër shitet kaq shumë? Përse nuk bëhen kureshtarë të marrin vesh se përgjigjet e cilave pyetje kërkojnë qytetarët të cilët blejnë Zemërim dhe krenari ?

Ky libër njohu një sukses të jashtëzakonshëm, sepse qëndron shumë larg stisjes. Pas artikullit në gazetën Corriere della sera, i cili përmbante variantin e parë dhe të  shkurtuar të librit, Fallaci nuk ka shqiptuar qoftë edhe një fjalë të vetme në lidhje me të. Ashtu siç kishte  paralajmëruar, ajo nuk mori pjesë në debate, nuk iu përgjigj as ithtarëve dhe as denigruesve të saj. Dhe deri më 11 dhjetor, ditë kjo kur u bë e ditur dalja nga shtypi, ajo e detyroi botuesin e saj që t’i bindej një heshtjeje absolute. Kjo për shkak se, sipas saj, një pritje e paduruar mund të ngjallte ndonjë kureshtje të pavend. Sjellje kjo që bën pjesë në uni-n e saj. Që prej shumë vitesh, kjo dihet, Fallaci nuk përgjigjet në telefon. Ajo nuk ka as sekretari telefonike ku mund t’i lësh mesazh. Për të mbajtur lidhje me të, miqtë e saj duhet t’i nënshtrohen një sistemi shumë të ndërlikuar, sistem ky ku çdo miku i përket një numër i caktuar tingëllimash. Më pas është ajo që merr në telefon, por ndodh që edhe të numërojë zilet gabim dhe të flasë me mikun e gabuar…Rrallëherë e hap postën. Një herë i ra në të plot tetë muaj me vonesë se një letër e pahapur numëronte një shumë të mirë taksash të papaguara. Shkruan dhe nuk boton. Kishte dhjetë vjet që nuk i kishte ofruar lexuesit asnjë tekst të ri. Janë thjesht zakonet e saj dhe asgjë më shumë. Por vjen gjithnjë një çast kur papritur e papandehur ajo e thyen heshtjen e ngurtë. Duke dalë nga vetëmbyllja e saj. Ndërkohë, njerëzit reagojnë sikur ajo të kishte qënë e pranishme në çdo mbrëmje në ndonjë skenë apo në ekranin e televizorit. Sepse atë nuk e ka harruar askush, edhe në ato vite vetëmbylljeje. Të gjithë kanë vazhduar ta ndjekin, t’i flasin, t’i shkruajnë, t’i kushtojnë tituj gazetash dhe komente në televizion. Nderime pa fund, të cilave ajo u largoget gjithnjë e më shumë. Nuk shfaqet kurrë në televizion dhe nuk merr kurrë pjesë në debatet që kanë të bëjnë me të. Nuk firmos kopje në librari dhe, gjë ë jashtëzakonshme kjo, ajo nuk kundërpërgjigjet nëse dikush e sulmon. Shumë shumë mund të ngarkojë avokatët e saj që të bëjnë ndonjë kërkesë-padi.

Megjithatë, librat e saj vazhdojnë të shiten. Përveçse best-seller, ata janë edhe long-seller, pra libra jetëgjatë. Libri mbi luftën në Vietnam, i botuar në vitin 1969, Niente e cosi sia, ende vazhdon të shitet. Lettera a un bambino mai nato, i botuar në vitin 1975, tashmë njihet në të gjithë botën. Un uomo, i vitit 1979, ka fatin e pararendësit të tij.  Gjatë 22 vjetëve, ajo ka marrë me dhjetra kërkesa zyrtare për t’i shndërruar librat në filma, por asnjërit prej tyre nuk i është ndezur drita jeshile (për faj të saj, e cila sa kërkuese është me vehten, po aq është edhe me të tjerët, po aq sa e pableshme me para, aq edhe përbuzëse për to). Ndërsa pas tragjedisë së 11 shtatorit, Inshallah, romani që ka për bosht kundërshtitë mes botës perendimore dhe asaj islamike i është rikthyer kreut të renditjes së librave më të shitur.

Ndërkohë ata që ajo i quan gjinkalla (“Mos më detyroni të them emra. I shihni çdo ditë në televizor, i lexoni çdo ditë nëpër gazeta”), vazhdojnë ende ta sulmojnë. Por njerëzit e duan. Përplasje domethënëse kjo, në të cilën pasqyrohet rrugëtimi i mëdyshur i identitetit tonë kombëtar.

Të kuptosh atë sot, do të thotë të kuptosh edhe gjurmët që ka lënë në të ky sukses i pabesueshëm.

EYELINER

Të flasësh për të do të thotë të flasësh për luftën. Lufta është strumbullari i identitetit të saj si shkrimtare dhe si gazetare. Por ne do ia dalim mbanë. Sepse do flasim gjatë. Tani për tani le të ndalemi në kohën kur mes bisedave të miqve mbijnë çastet e shkuara. Flasim për vehten, për ne dhe për të. E shohim njëri tjetrin në sy dhe nxjerrim fjalë zemre.

Tek çdo gazetare e re e këtyre tridhjetë viteve të fundit dhe ndoshta tek çdo grua e re e emancipuar, mund të gjesh diçka nga bishtalecat e Oriana-s, tek vrapon me kokën ulur nëpër urën e Kien-Hoa-s e ndjekur nga plumbat vietnamezë. Gjen diçka edhe nga vija ndarëse e flokëve, ajo prerje e saktë që ndan ata  flokë të drejtë, të palyer dhe të gjatë. Në një kohë kur gratë frynin flokët dhe mbanin funde të shkurtra Chanel, Fallaci ofroi për të gjitha veçantinë e asaj që nuk mbante  as funde të shkurtra, nuk vinte as bikudina dhe nuk ndiqte modën. Ajo shërbeu si model për gratë e emancipuara, gratë e një brezi më të vonë, të cilat morën pjesë qoftë edhe në një luftë të vetme: në luftën si nëna, si bashkëshorte, si profesioniste apo si punëtore. Ato morën pjesë në këtë luftë duke huazuar stilin e saj: pantallona, këpucë të sheshta dhe aspak të lyera dhe të stisura.

Ky stil i përqafuar nga dashuria ose nga zori përmbante në vetvehte nuanca elegance. Ai nuk dëshmonte as shkujdesje dhe as sjellje burrërore. Sepse fytyra e saj e pastër dhe gjithnjë e shënjuar nga rrudha të parakohshme, rrudha këto të shkaktuara nga lodhja dhe tensioni, ka qënë një nga fytyrat mbi të cilat, në vitet ’60 dhe ’70, u ndërtua imazhi i Amerikë-s në kulmin e saj.

Kjo nuancë e papërsëritshme, pjesë e librit Women të fotografit të famshëm amerikan Francesco Scavullo, e rendit Fallaci-n në listën e 46 grave më tërheqëse dhe më të jashtëzakonshme të botës. “Nuk jam dikushi që u përshtatet rregullave thjesht sepse ato quhen të tilla” i tha dikur Fallaci Scavullo-s. Sigurisht që mbretëronin rregullat e modës dhe të bukurisë, por kjo batutë krijoi një manifest të pavarësisë nga lyerja dhe stisja si një lloj metafore. Një pohim ky që do u përshtatet më së miri vajzave të brezave të mëpasmë.

Ajo u shndërrua në këtë mënyrë në një simbol të gruas së kohës. Është e vështirë të parafytyrosh një grua më të kohës se ajo, e cila që në moshë të re bënte  “punë burrash” dhe “jetë burrash”. (Fakti që ka qënë korrespondente lufte është vetëm një anë e paraprirjes që i bën ajo kohës). Është po pjesë e modernizmit të saj edhe mospranimi për të ndjekur modën. Ajo mbante pantallona në një kohë kur në Amerikë një grua me pantallona nuk lejohej që të hynte në një lokal publik.  “A e dini nga sa restorante më ka nxjerrë jashtë, vetëm se isha veshur me pantallona?”. Gjithësesi, kur pantallonat filluan të bënin pjesë në veshjen femërore, ajo (njeriu me shpirt të përhershëm kundërshtimi) filloi të mbante funde dhe fustane. Edhe kjo modë e padëshëruar bën pjesë në modernizmin e saj. Siç është modern edhe një ves i saj: një vizë peneli mbi qerpikë. “E bëj shpejt e shpejt. Tak, tak, tak” i thotë ajo Scavullo-s. Ndërsa ai e përshkruan kështu: “Dy vijëza të zeza, të trasha, të drejta që ajo i bën vetë dhe që i zmadhojnë sytë e saj të mrekullueshëm lindorë.Ato dy vijëza u shndërruan në firmën e saj”. Një firmë kjo që ia nënshkruan ende fytyrën. Vitet nuk e kanë ndryshuar fytyrën e Oriana-s mbi urën e Kien-Hoa-s. As trupin e saj të imët dhe të dobët. As atë shprehje të lëvizshme dhe atë ngritje të papërmbajtur shpatullash që përbëjnë një tjetër tipar fizik të saj.

Por ka ndryshuar krehja e flokëve. Flokët e drejtë dhe të gjatë tashmë janë mbledhur pas qafës. Nuk i shkojnë dhe ajo e di këtë. Por i mban kasten kështu.  “Është krehja që bënin zotërinjtë në vitet ‘700, që nga Jefferson e deri tek Robespierre. S’kërkon shumë punë, është e rehatshme dhe plotësohet me një fjongo. Më pëlqen. Gjyshja ime thoshte: nëse nuk të pëlqej, ca më keq për ty, kthehu nga ana tjetër”. Ndërsa sytë e saj lindorë tani kanë më shumë rrudha: kjo dihet. Por ajo i do këto rrudha dhe i mbron me krenari. “Ato janë medaljet e mia”. / KultPlus.com

Të ngjajshme