Osmani: Fati i Kosovës është i lidhur me zbardhjen e fatit të të zhdukurve, Serbia të marr përgjegjësinë për krimet

27 Prill, 2021 - 12:08 pm

Sot shënohet 27 Prilli – Dita e të Pagjeturve të Kosovës.

Për të nderuar këtë ditë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë nderime te memoriali për të Pagjeturit, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, Osmani është shprehur se sot e përherë duhet ta kuptojmë se fati i Kosovës është i lidhur me zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë dhe se përgjegjësia e Serbisë për krimet makabre duhet të ndodhë në mënyrë që rajoni ynë të ec përpara.

“Sot, bashkë me familjarët e të pagjeturve të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, shënuam 27 prillin, Ditën e të Pagjeturve në Kosovë.

Sot e përherë, duhet ta kuptojmë se fati i Kosovës është i lidhur me zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, se drejtësia për ta është parakusht për paqen, e që përgjegjësia e Serbisë për krimet makabre që përbëjnë gjenocid duhet të ndodhë në mënyrë që rajoni ynë të ecë përpara”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com

Të ngjajshme