Osmani: Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive

2 Dhjetor, 2023 - 1:35 pm

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se vrasja e Liridona Ademajt është krim montruoz e që duhet të marrë dënimin e merituar. Reagimi i Presidentes vjen një ditë pasi u arrestuan tre të dyshuar për këtë rast, përfshirë edhe bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli. 

Osmani ka thënë se ky “krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar” për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar.

Femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive.

Prandaj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj.

Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale.

Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme. / KultPlus.com

Të ngjajshme