Osmani kujton gazetarin Maloku: Mbetet shembull i njeriut të përkushtuar ndaj fjalës së lirë

11 Janar, 2024 - 5:02 pm

Presidentja Osmani kujton veprimtarin e gazetarin Enver Malokun në 25 vjetorin e vrasjes, shkruan KultPlus.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar veprimtarin e gazetarin Enver Maloku, në 25 vjetorin e vrasjes.

Përkujtimi i plotë i Presidentes Osmani:

“Sot mbushen 25 vjet nga vrasja tinëzare e Enver Malokut, veprimtarit e gazetarit të guximshëm, njeriut që e shndërroi fjalën e lirë e informimin e drejtë në parime të një shoqërie dhe e shënjoi një epokë të raportimit të guximshëm e profesional.

Ai e kultivoi fjalën e lirë dhe informoi me guxim për tragjedinë e popullit të vet duke u shndërruar në zëdhënës të fuqishëm për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

Si zëdhënës i vullnetit politik e njerëzor të kombit të vet, ai mbetet shembull i njeriut të përkushtuar ndaj fjalës së lirë e lirisë së popullit të vet.

Por, pikërisht në prag të arritjes së lirisë, Maloku u vra në hyrje të ndërtesës ku banonte. Fatkeqësisht, drejtësia ka dështuar deri më sot që t’i vendosë para drejtësisë përgjegjësit për këtë vrasje, sikur edhe për shumë të tjera, të kryera menjëherë pas luftës. Prandaj, sërish duhet ta përsërisim thirrjen për institucionet përgjegjëse që autorët e krimit të sillen para drejtësisë, duke përfshirë të gjitha vrasjet e pasluftës.

I përjetshëm kujtimi për Enver Malokun!”, shkruan Osmani.

Enver Maloku lindu në Podujevë më 1954, derisa shkollimin dhe gjimnazin e përfundoi atje, për t’u shpërngulur në Prishtinë në studimet për letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Puna e tij në QIK ndikoi që edhe të “krijohen” armiq në jetën e tij dhe kësisoj të shpëtojë edhe nga një atentat në korrik të vitit 1998.

Por, në pasditen e 11 janarit 1999, atentatorët tash ishin më shumë dhe pak metra prej banesës së tij, në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili vdiq pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës. /KultPlus.com

Të ngjajshme