Osmani në 1 vjetorin e zgjedhjeve: Vullneti i qytetarëve është përdhosur, vota e tyre është tjetërsuar

6 Tetor, 2020 - 11:46 am

Janë bërë 1 vjet prej zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, kohë kjo kur Lëvizja Vetëvendosje doli partia fituese. Pas fitores, LVV bëri koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike por që ky koalicion nuk ishte jetëgjatë. Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, përmes një statusi në facebook ka kujtuar se sot janë bërë 1 vjet që kur Kosova shënoi kthesën më të madhe politike në 15 vitet e fundit. Sipas saj, me këtë datë, qytetarët treguan haptas se nuk duan të jetojnë në një shtet i cili u shërben vetëm një grushti njerëzish dhe i cili pasurinë publike ua lë në dorë keqbërësve, përcjellë KultPlus.

“Më 6 tetor të vitit të shkuar Kosova shënoi kthesën më të madhe politike në 15 vitet e fundit. Qytetarët e saj treguan haptas se nuk duan të jetojnë në një shtet i cili u shërben vetëm një grushti njerëzish dhe i cili pasurinë publike ua lë në dorë keqbërësve. Me votën e tyre ata e thanë zëshëm dëshirën e tyre për shtet të së drejtës e për jetë të dinjitetshme”, ka shkruar Osmani.

Tutje, Osmani ajo thotë se vullneti qytetar është përdhosur, e vota e tyre është tjetërsuar.

“Sot, një vit më pas, ky vullnet qytetar është përdhosur, ndërsa vota e tyre është tjetërsuar. Kosova frymon me pamjen e zymtë, si atë të para 6 tetorit, e cila e ka tjetërsuar vullnetin qytetar dhe e ka instaluar një qeveri, e cila jo vetëm që nuk e përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit për ndryshim, por është e vendosur që t’u kundërvihet atyre, si për t’u treguar se vota e tyre është e pavlerë, se ata mund të vendosin të bëjnë qeveri e të marrin vendime për vendin pavarësisht vullnetit qytetar.”

Ajo krejt për fund potencon zhgënjimin e saj me kastën politike, por njëkohësisht shprehet e lumtur që qëndron në krahun e bashkëqytetarëve të saj.

“Edhe pse jam skajshmërisht e zhgënjyer me sjelljen e tillë të këtyre kastave politike, jam e lumtur që vazhdoj të qëndroj në krahun e bashkëqytetarëve të mi, me vullnetin e pathyer të tyre për ndryshim, vullnet i cili sot mund të jetë i ndrydhur, por jo i shuar. Ai do të rikthehet edhe më i fuqishëm, për ta çkapur njëherë e mirë vendin nga strukturat që e mbajnë të uzurpuar atë. Tek e fundit, vota e 6 tetorit nuk qe zotim të cilën e morën politikanët, por qytetarët e vendit. Ata do ta jetësojnë atë, herët a vonë.” / KultPlus.com

Të ngjajshme