Osmani takohet me Fischer, diskutojnë për sportin dhe Lojërat Olimpike 2024

14 Mars, 2022 - 2:15 pm

Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani sot priti në takim Ambasadoren për sport të Republikës së Francës, Laurence Fischer, e cila këto ditë po qëndron në Kosovë për të marr pjesë në konferencën e diplomacisë sportive, që organizohet në bashkëpunim mes Ambasadës Franceze në Kosovë dhe Kolegjit AAB, në kuadër të javës frankofone.

Bashkë diskutuan për gjendjen aktuale në sport, sukseset e arritura në garat ndërkombëtare dhe proceset tjera të rëndësishme në zhvillimin e mëtutjeshëm të sportit në Kosovë.

Temë diskutimi ishte edhe rëndësia e fuqizimit të sportit për të gjithë dhe zhvillimi i sportistëve të rinj, duke ju ofruar atyre mundësi për pjesëmarrje në kampe të ndryshme stërvitore pranë trajnerëve të nivelit të lartë ndërkombëtar, të cilat organizohen në Francë dhe në shtete të ndryshme evropiane.

Ambasadorja Fischer tregoi nismat inovative që po ndërmerr shteti francez në kuadër të organizimit të Lojërave Olimpike verore Paris 2024, me qëllim të promovimit sa më të mirë të vlerave të vendit.

Duke përmendur përvojat e shtetit francez në organizim të ngjarjeve të mëdha sportive, ajo shprehu gatishmëri për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për ofrimin e mbështetjes në forma të ndryshme për organizim të ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare sportive edhe në Kosovë.

Në këtë takim ajo ishte e shoqëruar nga Atasheu për bashkëpunim në Ambasadën Franceze, Cecilia Maronnier, si dhe menaxheren e projektit në delegacionin për sport të Ministrisë Franceze për Evropë dhe Punë të Jashtme, Marie Roy. /KultPlus.com

Të ngjajshme