Osmani: Të jesh ndryshe është normale, Dita e Personave me Sindromën Down të na shërbejë si rikujtim për këtë gjë

21 Mars, 2020 - 6:54 pm

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se përderisa për shumicën e njerëzve  kjo ditë mund të jetë ditë e veçantë, por për personat me sindromën Down është vetëm një ditë tjetër, ku mospërfshirja, izolimi dhe distancimi shoqëror mbizotërojnë ende.

Osmani tha se të jesh ndryshe është normale dhe 21 marsi, Dita e Personave me Sindromën Down, duhet të shpërbëje si rikujtim për këtë gjë.

Në Kosovë mendohet se janë afër 900 njerëz me këtë sindrom.

Postimi i plotë:

Sot është dita e parë e pranverës dhe dita e personave me Sindromin Down.

Përherë në këtë ditë në rrugët e sheshet tona kanë dominuar e lëvizjet e shumta dhe hareja e njerëzve. Por, dita e sivjeme e pranverës na gjen ndryshe. Për shkak të pandemisë globale, sot jemi të izoluar e në distancë. Mirëpo, nëse për shumicën e njerëzve kjo ditë mund të jetë ditë e veçantë, për personat me sindromën Down është vetëm edhe një ditë tjetër, në të cilën mospërfshirja, izolimi dhe distancimi shoqëror mbizotërojnë ende.

Në të gjithë lindim të ndryshëm. Është pikëtisht kjo që këtë botë e bën më të veçantë, më të bukur. Të jesh ndryshe është normale dhe 21 marsi, Dita e Personave me Sindromën Down, duhet të na shërbejë si rikujtim për këtë gjë. Në Kosovë mendohet se janë afërsisht 900 njerëz me sindromën Down. Megjithatë, ky numër paraqet vetëm vlerësim, derisa nevoja për statistika të sakta është thelbësore, ngaqë do të ndihmonte në identifikimin e kësaj gjendjeje gjenetike të fëmijëve në moshë të hershme dhe do të hapte mundësi për ofrim të terapisë së përshtatshme. ​Prandaj, të përkushtohemi për mbrojtjen e të drejtave të personave me sindromën Down, si dhe për përfshirjen dhe mirëqenien e tyre.

Në janar të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ), në thelb të së cilës qëndron parimi “Askush të mos mbetet pas”. Nëpërmjet saj kërkohet fuqizimi i fëmijëve me nevoja të veçanta, por edhe i të rriturve, përfshirë personat me sindromën Down, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribojmë në të ardhmen tonë të përbashkët.

Motoja e Ditës Botërore të Sindromës Down 2020 është “NE VENDOSIM”, duke ritheksuar nevojën për krijimin e hapësirës për pjesëmarrje të plotë të personave me sindromën Down në vendimmarrje për çështje që prekin jetën e këtyre personave. Në Kuvendin e Republikës së Kosovës miratojmë ligje e vendine që ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetët tuaja, mirëpo suksesi për çdo gjë që “NE VENDOSIM” është i garantuar vetëm nëse pjesë e kësaj “NE” jeni edhe JU!
Prandaj, edhe pse sot fatkeqësisht nuk mund të ishim bashkë në aktivitete të shumta që ishin menduar për këtë ditë, uroj që kjo qetësi në shtëpitë tona të na shërbejë të gjithëve për të dëgjuar, parë e vepruar për atë që s’kemi dëgjuar, parë e vepruar parë deri më tash. /KultPlus.com

Të ngjajshme