Presidentja Osmani ua bën me dije finlandezëve se kidnapimi i tre policëve ishte akt i agresionit prej Serbisë

22 Qershor, 2023 - 12:04 pm

Presidentja Vjosa Osmani takoi një delegacion të ambasadorëve dhe zyrtarëve të lartë nga Finlanda të cilët po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë pune.

Duke iu uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e Finlandës për rrugëtimin evropian të Kosovës.

Ajo theksoi se Kosova e vlerëson lartë partneritetin me Finlandën dhe konfirmoi gatishmërinë e plotë për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit.

Osmani foli edhe për zhvillimet e fundit në vend, “me ç’rast e konfirmoi edhe një herë përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon, në koordinim dhe bashkëpunim edhe me aleatët”.

Sipas Zyrës së Presidencës, ajo foli edhe për tendencat e vazhdueshme destabilizuese nga ana e Serbisë dhe vuri theks tek rëndësia e ballafaqimit me drejtësinë të grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia e që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët.

“Me këtë rast, në takim u diskutua edhe për tre policët e kidnapuar thellë në territorin e Republikës së Kosovës, gjë që Presidentja Osmani e vlerësoi si akt të pastërt të agresionit nga ana e Serbisë dhe theksoi rëndësinë e reagimit të unifikuar nga komuniteti ndërkombëtar me qëllim të lirimit të menjëhershëm të policëve që po mbahen padrejtësisht në Serbi”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme