Pa familje dhe të pashoqëruar, shumë fëmijë nga Kosova jetojnë të vetëm në Itali

29 Shtator, 2020 - 1:26 pm

Fëmijët në Itali janë kthyer në shkolla. Në mesin e nxënësve që janë kthyer në bankat e shkollës, janë edhe shumë fëmijë të mitur të pashoqëruar, të cilët kanë mbërritur të vetëm në shtetin italian.

Ministria italiane e Punës dhe Politikës Sociale e ka publikuar raportin e sivjetmë për të miturit e huaj të pashoqëruar në Itali. Nga ky raport del se më së shumti fëmijë të huaj të pashoqëruar në Itali vijnë nga Kosova dhe Shqipëria, shkruan Gazeta Express.

Në 100 të mitur të pashoqëruar, 32 vijnë nga Kosova e Shqipëria (dy vjet më parë ishin 11), 21 nga Bangladeshi, Pakistani e Afganistani (përqindja u trefishua), 19 nga Afrika Mesdhetare dhe 17 nga Afrika nën-Sahariane (ishin 36 dy vjet më parë). Në statistikë, refugjatët “politikë” shfaqen nën titullin “të tjerët”; numerikisht jo shumë të rëndësishëm, por njerëzisht dhe politikisht shumë të rëndësishëm.

Ndryshe nga të rriturit, të miturit nuk mund të refuzohen ose dëbohen nga Italia, shkruan e përditshmja italiane “Il Fatto Quotidiano”. Strukturat e shtetit italian kujdesen për ta derisa ta arrijnë moshën madhore, duke u siguruar akomodim, kujdes shëndetësor dhe edukim.

Për ta ofrohen të njëjtat forma të mbështetjes si për të miturit italianë në vështirësi ose pa mbështetje familjare. Çdo gjashtë muaj, Ministria e Punës dhe Politikave Sociale harton një raport për situatën e këtyre fëmijëve.

Raporti ministror tregon se janë 5 mijë e 16 fëmijë të huaj të pashoqëruar në Itali, nga të cilët 4 mijë e 778 janë meshkuj dhe 238 femra. 64% e tyre janë 17 vjeç, 24% janë 16 vjeç, ndërsa 12% janë 15 vjeç ose më të rinj. 13 mijë e 151 fëmijë të kësaj kategorie ishin në Itali dy vjet më parë, ndërsa 7 mijë e 272 në vitin 2019. Kështu, në dy vjet numri ka rënë për gati dy të tretat. Një shkak për këtë është se 16-17-vjeçarët e viteve të kaluara tani janë rritur.

Pasi mbërrijnë dhe regjistrohen në Itali, këta të mitur vendosen në vende të caktuara. Ndërkohë, Gjykata rajonale për të Mitur cakton një kujdestar për ta. /KultPlus.com

Të ngjajshme