Pac-Man mbush 45 vjet, nga një copë picë në një ikonë globale të lojërave dhe kulturës

5 Gusht, 2025 - 4:15 pm

Pac-Man, makina ikonike e verdhë që ha gjithçka përpara vetes, po feston 45-vjetorin e tij këtë vit, një moment historik për një lojë që jo vetëm revolucionarizoi botën e videolojërave, por ndikoi edhe në kulturë, shkencë dhe dizajn.

Krijuesi i tij, Toru Iwatani, e mori frymëzimin në vitet ’70 ndërsa po hante një picë salami. Pasi hoqi një copë, forma e mbetur i ngjante një goje. “Nëse merr një picë dhe heq një copë, duket si një gojë,” i tha Iwatani revistës Wired në vitin 2010, duke e konfirmuar një nga legjendat urbane më të njohura të botës së lojërave.

Nga ajo ide e thjeshtë, lindi Pac-Man, një personazh i verdhë, që lëviz në labirinte të errëta, duke ngrënë pika dhe duke shmangur katër fantazma: Blinky (i kuq), Pinky (rozë), Inky (cian), dhe Clyde (portokalli).

Michiko Kumagai, menaxhere e licencimit në “Bandai Namco”, tha për BBC se Pac-Man u krijua për të përfaqësuar në mënyrën më të thjeshtë idenë e “ngrënies”. “Ashtu si harku i McDonald’s, është bërë një simbol i njohur ndërkombëtarisht,” tha ajo.

Pac-Man u lansua fillimisht në Japoni si “PuckMan”, një referencë ndaj shprehjes japoneze “paku paku taberu”, që përshkruan tingullin e të ngrënit me lakmi. Sot, është loja arkade më e suksesshme e të gjitha kohërave, sipas Guinness Book of World Records, duke gjeneruar mbi 14 miliardë dollarë në të ardhura.

Profesori Peter Etchells nga Bath Spa University thekson se “Pac-Man ishte një nga figurat kryesore në lindjen e videolojërave për publikun e gjerë. Kishte një thjeshtësi elegante në dizajnin dhe lojën e tij që i magjepsi lojtarët.”

Iwatani kishte qëllim të krijonte një lojë që do të tërhiqte të gjithë, veçanërisht gratë. Ndryshe nga lojërat e dhunshme si Asteroids apo Space Invaders, Pac-Man u fokusua te një lojë e thjeshtë, argëtuese dhe strategjike, ku taktika si memorizimi i labirinteve bëhej çelës për sukses.

Pac-Man nuk ndaloi vetëm te argëtimi. Në vitin 2007, një studim nga Caltech tregoi se loja ndikonte aktivitetin e trurit, duke përdorur MRI për të vëzhguar reagimet kur lojtarët përballeshin me rrezik.

Në vitin 2024, studiuesit nga Cornell University zbuluan se majmunët, gjatë lojës së Pac-Man, përdornin vendimmarrje strategjike të nivelit të lartë, më parë e paimagjinueshme për kafshët. Dr. Tom Garner nga Sheffield Hallam University thekson se “Pac-Man na ndihmon të kuptojmë më mirë se si njerëzit (dhe kafshët) mendojnë, ndiejnë dhe sillen.”

Ai shton se ndjenja e “embodiment”, lidhja emocionale mes lojtarit dhe personazhit, ishte kyçe. “Pac-Man ishte ndër të parët që përfaqësonte një personazh të gjallë, me ndjesi, jo thjesht një mjet. Dhe kjo krijoi një lidhje unike me lojtarin.”

Bandai Namco po përpiqet të mbajë Pac-Man të freskët për brezat e rinj përmes lojës së re Shadow Labyrinth, ku Pac-Man transformohet në një version më të errët dhe futurist, Puck, një orb që ndihmon një karakter misterioz, Swordman No 8. Këta bashkë mund të shndërrohen në një robot të fuqishëm, GAIA, për të kapërcyer pengesat e labirintit.

Producenti Seigo Aizawa thotë se “çdo fantazmë kishte një personalitet të vetin, dhe kjo ishte pjesë e magjisë. Blinky të ndjek pa mëshirë, Pinky përpiqet të të zërë pritë, këto sjellje janë të koduara në AI-në e lojës.”

Edhe pse personazhi nuk flet dhe ka më pak histori krahasuar me ikonat si Mario apo Sonic, CEO-ja Nao Udagawa beson se thjeshtësia e tij është pikërisht ajo që e mban të gjallë tek brezi Z dhe më tej.

Për Etchells, arsyeja kryesore pse Pac-Man ende qëndron është nostalgjia, për kohën e argëtimit në sallat e lojërave me drita neon, për shoqërinë dhe konkurrencën miqësore.

Ndërkohë, “Bandai Namco” po zgjeron praninë e Pac-Man përtej lojërave, përmes bashkëpunimeve me marka si “Krispy Kreme” dhe eksperiencave të drejtpërdrejta si “escape rooms” në qytete si Manchester dhe Dubai.

Së shpejti mund ta shohim edhe në filma, por për momentin, Pac-Man mbetet një ikonë kulturore që tregon se ndonjëherë, për të fituar, duhet të ndalojmë së ikuri nga fantazmat, dhe të përballemi me to./BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme