29 Korrik, 2025 - 5:45 pm
U shkrua rreth 40 vite më parë nga Adelina Balashi, fillimisht si një punim diplome. Sot, është e vështirë të imagjinohet teatri shqiptar pa të. “Pallati 176” ka hyrë në historinë e skenës shqiptare si një nga komeditë më të suksesshme dhe më të dashura për publikun. Batutat e saj janë bërë pjesë e gjuhës së përditshme, ndërsa personazhet, Fredi, Elsa dhe mamaja, mbeten të paharrueshëm në kujtesën kolektive.
Pas dekadash, emocionet e “Pallati 176”, rikthehen me të njëjtën forcë. Të shohësh sërish në skenë këtë treshe ikonike është si të hapësh një album kujtimesh të gjalla, që lidhen ngushtë me breza të tërë shikuesish, përcjellë KultPlus.
Dhe kush i bleu llokumet këtë herë? Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, e cila solli në vëmendje jo vetëm një vepër që ka lënë gjurmë, por edhe artistët dhe regjisorët që kanë ndërtuar themelin e artit skenik shqiptar. Një nderim për ata që kanë qenë para nesh dhe një kujtesë e bukur për ata që vazhdojnë të na emocionojnë ende sot./KultPlus.com