Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta me mbi 787 mijë turistë në vitin 2023

20 Janar, 2024 - 5:00 pm

I cilësuar si një nga parqet Kombëtare më të vizituara për turizmin natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë, (birdwhatching) Divjakë-Karavasta vitet e fundit është kthyer në destinacionin e mijëra turistëve vendas e të huaj.

Drejtori i Administratës Rajonale Zonave të Mbrojtura Qarku Fier, Fotjon Prençe tha për ATSH-në se “nga janari deri në dhjetor të 2023 u vizitua nga 787 510 turistë, nga të cilët 603 920 vendas dhe 183 590 të huaj”.

“Vizitorët vendas e të huaj kanë treguar një interes të lartë për vëzhgimin e shpendëve në park, i cili është i mbrojtur më së miri nga moratoriumi i gjuetisë. Një nga vëzhgimet më interesante është edhe fluturimi i flamingove, mbi lagunën e Karavastasë këte vit ka patur një koloni prej 4600 individësh”, theksoi Prence.

Prence tha se “gjatë fundjavës që lamë pas në park u zhvillua edhe Censi i Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues në të gjitha ligatinat ujore të Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, ku parku është ligatina më e madhe në vendin tonë dhe me numrin dhe llojet me të shumtë”.

“Gjithashtu gjatë vizitës në park mund të zhvillosh disa lloje aktivitetesh përveçse të njihesh me informacionin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta në Qendrën e Vizitorëve si ecje në natyre (rreth 50 km shtigje), vëzhgimi i shpendëve,  piknik, vozitje me varkë, kamping, xhiro me biçikleta, kajak dhe vizitë në site arkeologjike dhe ato fetare, vëzhgim bimësh endemike, subendemike”, shtoi ai.

Në park janë evidentuar rreth 25 lloje gjitarësh, rreth 29 lloje zvarranikesh dhe amfibesh (duke përfshirë edhe breshkën e detit ) si dhe rreth 264 lloje shpendësh. Gjithashtu flora përbëhet nga rreth 250 lloje bimësh. Qendra e parkut ndodhet pranë plazhit të Divjakës, afërsisht 1.2 km në jugperëndim të hyrjes së parkut.

Plazhi i Divjakës është një rrip prej rëre të bardhë që kufizohet me një pyll pishash mesdhetare dhe përbën një destinacion të kërkuar plazhi për mijëra turistë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme