25 Maj, 2025 - 9:30 pm
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur sot se Parku Kombëtar i Vjosës, në brigjet e lumit të fundit të egër në Europë, është një destinacion që tërheq turistë nga çdo cep i botës, si dhe vendas që janë të apasionuar pas aventurës.
Parku Kombëtar i Vjosës ofron një eksperiencë unike për turistët vendas dhe të huaj që janë të apasionuar pas natyrës dhe aventurës.
Ky park përfshin peizazhe të paprekura, kanione të thella, ujëvara spektakolare dhe biodiversitet të pasur, duke e bërë atë një destinacion ideal për ecje në natyrë, rafting, kajak, kamping dhe fotografi natyrore.
“Çdokush që viziton këtë park, largohet me një kujtim të paharruar dhe me dëshirën e madhe për t’u rikthyer”, tha ministrja Kumbaro, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të këtij thesari natyror unik në Shqipëri.
Shqipëria vazhdon të shënojë rritje të qëndrueshme në sektorin e turizmit, me 820 mijë vizitorë të huaj vetëm gjatë muajit prill 2025.
Kjo e çon në 2,45 milionë numrin total të turistëve që kanë hyrë në vend gjatë katër muajve të parë të këtij viti.
Rritja është dëshmi e stabilitetit dhe konsolidimit të Shqipërisë si një destinacion turistik në rritje në Europë./ KultPlus.com