Pas 80 viteve gjenden rrënojat e anijes së goditur nga një nëndetëse amerikane gjatë LIIB

23 Prill, 2023 - 8:40 pm

Rrënojat e fatkeqësisë më të madhe detare në historinë e Australisë u zbuluan, më shumë se 80 viteve, pasi anija u godit nga një nëndetëse amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke vrarë rreth 1 060 persona, thanë sot organizatorët e kërkimit dhe qeveria.

”SS Montevideo Maru”, një anije transporti japoneze, u gjet në brigjet e Filipineve, në një thellësi prej më shumë se 4 000 metrash”, tha në një deklaratë fondacioni jofitimprurës ”Silentworld”.

“Vendndodhja e anijes së transportit ka qenë një mister, që kur ajo u godit me torpedo më 1 korrik 1942 nga ‘USS Sturgeon”, tha grupi i arkeologjisë detare.

Oficerët amerikanë në nëndetëse nuk e dinin që ”Montevideo Maru” mbante robër lufte dhe civilë.

Nga 1 060 që humbën jetën, rreth 980 ishin australianë – të paktën 850 prej tyre anëtarë të shërbimit.

Në total, ai transportonte njerëz nga 16 vende.

Anija japoneze po transportonte australianë dhe qytetarë të disa kombeve të tjera në ishullin Hainan nga Rabaul, në Guinenë e Re Papua, pasi qyteti i administruar nga Australia ra në duart e forcave japoneze.

“Më në fund, u gjet vendi i prehjes së shpirtrave të humbur të ‘Montevideo Maru”, tha kryeministri australian Anthony Albanese.

“Shpresojmë që lajmet e sotme të sjellin ngushëllim për të dashurit që kanë mbajtur një vigjilencë të gjatë”, shtoi ai.

Drejtori i ”Silentworld”, John Mullen, tha se zbulimi “mbyll një kapitull të tmerrshëm në historinë ushtarake dhe detare australiane”.

”Montevideo Maru” u gjet më 18 prill, pas vetëm 12 ditësh kërkime.

Mbytja u zbulua me ndihmën e një automjeti autonom nënujor.

Mbetjet qëndrojnë në një thellësi prej mbi 4 000 metrash nën det, më e madhe se rrënojat e ”Titanic”-ut.

“Sot ne kujtojmë shërbimin e tyre dhe humbjen e të gjithë atyre që ishin në bord, duke përfshirë 20 rojat dhe ekuipazhin japonez, marinarët norvegjezë dhe qindra civilë nga shumë kombe”, tha shefi i ushtrisë australiane, gjenerallejtënant Simon Stuart./KultPlus.com

Të ngjajshme