5 Gusht, 2025 - 9:14 pm
Pas një përmbylljeje të suksesshme të edicionit të pestë të Festivalit Sunny Hill, Dua Lipa nis pushimet në Shqipëri.
Pas një performance elektrizuese në natën e parë të festivalit muzikor më të rëndësishëm në rajon, Sunny Hill, që edhe këtë vit është prezantuar para publikut me artistë të njohur botëror, Dua Lipa ka zgjedhur të relaksohet në brigjet e bukura të jugut të Shqipërisë.
Këngëtarja me famë botërore lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Instagram, duke e shoqëruar me një fotografi të jashtëzakonshme, ku të shfaqura janë perëndimi i diellit, ujërat e kristalta, dhe një shpat i bukur mali.
“Arrita në shtëpi me kohë për këtë perëndim të mrekullueshëm të diellit”, është mbishkrimi i artistes së njohur.
Prezenca e saj e shpeshtë në hapësirat shqiptare si dhe angazhimi për të promovuar pasuritë natyrore dhe kulturore të vendit e ka shndërruar atë në një ambasadore kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjatë vizitës së fundit në Kosovë, Duas i është dhënë shtetësia e Kosovës me dekret presidencial nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani./ KultPlus.com