Pelenat për fëmijët nuk janë luks, ato janë nevojë

11 Maj, 2023 - 4:00 pm

Nga Brikena Berisha

Pelenat e fëmijëve në Kosovë tatohen 18%, dhe çmimi mund të shkojë deri në 20 euro për kuti. Por pelenat nuk janë luks. Ato janë nevojë.

Shteti gjithmonë duhet të jetë krah qytetarëve, veçanërisht grupeve më të cënueshme. Nisma për lirimin e pecetave menstruale është shumë adekuate dhe e nevojshme. Përveç produkteve higjienike për gratë, shumë vende lirojnë nga tatimi edhe produktet bazike për fëmijë, veçanërisht pelenat e fëmijëve.

Anglia dhe Irlanda kanë 0 TVSH për këtë produkt që disa dekada, e që ka qenë pikë diskutimi dhe fragmentimi në kohën e vendosjes së TVSH-së minimale në krijimin e një tregu të përbashkët në Bashkimin Evropian, në vitin 2006. Por Anglia nuk hoqi dorë, dhe shtetasit e saj vazhduan të blejnë këtë produkt pa TVSH.

Së fundmi, Bashkimi Evropian me një direktivë të re, ka lejuar fleksibilitet për vendosjen e normave të ndryshme të TVSH-së për shtetet anëtare. Këtë vit Italia e ka ulur normën tatimore në 5% për produktet higjienike për gratë dhe pelenat e fëmijëve. Qipro e ka ulur në 0. Edhe Mali i Zi në kuadër të periudhës për luftimin e varfërisë, ka amandamentuar ligjin dhe ka ulur tatimin në 7% për pelenat e fëmijëve

Sipas Akademisë Amerikane të Pediatërve, një fëmijë përdorë 6-12 pelena në ditë, varësisht nga mosha. Për këtë, familjet shpenzojnë minimum 936 dollarë në vit, apo 18 dollarë për javë.

Pelenat e fëmijëve në Kosovë tatohen 18%, dhe çmimi mund të shkojë deri në 20 euro për kuti. Por pelenat nuk janë luks. Ato janë nevojë. Nevojë që në rast varfërie apo kursimi e zëvendëson puna e papaguar e grave, duke blerë pelena me disa përdorime dhe duke i (ri)larë ato. Gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë pjesa më e varfër e shoqërisë, andaj le të jenë prioritet i qeverisë në çdo sferë. / KultPlus.com

Të ngjajshme