Për migrimin e të rinjëve reagon sopranoja Kajtazi: Në vend se ti avanconi, ju i shkelët me këmbë

25 Shkurt, 2023 - 8:50 pm

Sopranoja kosovare, e cila jeton dhe vepron në Gjermani, Elbenita Kajtazi, ka reaguar për migrimin e të rinjve jashtë Kosovës, e duke fajësuar të gjithë ata që janë përgjegjës që të rinjtë të mos i realizojnë ëndërrat e tyre në vendin e tyre, shkruan KultPlus.

E shkas për këtë reagim ajo e ka marrë largimin e motrës së saj nga Kosova për të vazhduar jetën dhe punën e saj në Gjermani.

Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e plotë:

Sot edhe motra ime e tretë Mirjeta po largohet nga Kosova drejt Gjermanisë, natyrisht që ndjehem e lumtur sepse po bëhemi tri motra të bashkuara në Hamburg, por njëkohësisht ndjej një trishtim që ma kaplon gjithë trupin.

Ju që edhe Mirjetës time i shuat ëndërrat në Kosovë, ashtu siç i shuat ëndërrat edhe Fitorës edhe Fitimit  e edhe Flakës, tre studentë të mrekullueshëm që lanë Kosovën gjithashtu gjatë këtij viti, ju diletantë të paskrupullt, ju jeni turpi i kombit Shqiptarë, ju që në vend t’i avanconi e ti përkrahni në rrugëtimet e tyre të ndritshme ju i shkelët me këmbë, ua shuat ëndërrat dhe i detyruat të largohen nga vendi i tyre, ju jeni e keqja e Kosovës time!

Mirë se vini rini e ndritur, mirë se vjen Mirjeta në një vend ku nuk gjykohesh pse je femer, nuk gjykohesh pse je e fuqishme, nuk gjykohesh pse ke ëndërra dhe nuk gjykohesh pse je zë i fuqishëm!

Mirë se vjen Mirjeta në një vend ku po pate dëshirën dhe pasionin, do fluturosh sepse vetëm qielli është limiti yt.

Do të kthehemi një ditë Kosova ime, do të kthehemi ta luftojm të keqën që të ka kapluar, e trishtë do të jetë kjo luftë por do e bëjmë me mish e shpirt bashkë me gjithë ato yje që jetojnë atje, bashkë me gjithë ata të rinjë të mrekullueshëm që kanë vendosur të rrijnë!/ KultPlus.com

Të ngjajshme