Përfundon faza e dytë e e ndërhyrjes në Bunë, Beci: Hap i madh drejt mbrojtjes së mjedisit

10 Korrik, 2025 - 10:50 pm

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci njoftoi sot se ka përfunduar me sukses edhe faza e dytë e ndërhyrjes në pastrimin e shtratit të lumit Buna, pranë zonës së Dajlanit.

Beci e cilëson këtë si një operacion të rëndësishëm që i hap rrugë një epoke të re për këtë pasuri natyrore.

“Pas 50 vitesh, lumi Buna rrjedh i lirë në shtratin e vet. Falënderoj të gjitha strukturat që kontribuan që nga momenti i parë në këtë ndërhyrje, por në mënyrë të veçantë shpreh mirënjohjen time për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, nën kujdesin e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu”, tha Beci në një postim në rrjetet sociale.

Sipas kryebashkiakut të Shkodrës, ekipet e punës në terren punuan me profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, të udhëhequr nga Nënkolonel Shkumbin Gjana, Nënkolonel Egert Kuka dhe të mbështetur nga Kolonel Shkëlzen Mhillaj, drejtues i operacionit, të cilët bënë të mundur çmontimin e plotë të strukturës metalike (dajlanit) në lumin Buna.

Beci tha se “ky operacion nuk është vetëm një arritje teknike, por një hap i madh drejt mbrojtjes së mjedisit dhe rikthimit të lirisë natyrore të lumit Buna një aset i çmuar për qytetin dhe gjithë rajonin”.

Sipas bashkisë së Shkodrës, në fazën e parë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit të lumit Buna janë hequr rrjetat dhe pinarët, ndërsa në fazën e dytë pjesët metalike që kanë pasur nevojë për ndërhyrje më të specializuar./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme