Përkujtohet poeti dhe ushtaraku Trifon Xhagjika

29 Prill, 2023 - 1:30 pm

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot poetin pa varr, ushtarakun dhe disidentin, Trifon Xhagjika (29 prill 1932 – 19 dhjetor 1963).

Trifon Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës, në vitin 1932. Bashkë me familjen e tij u sistemua në qytetin e Tiranës në vitin 1941. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, u diplomua në 1954 në Shkollën e Bashkuar si oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite e ushtroi profesionin në zonën e Rrapit të Treshit në Tiranë. Në këtë kohë kreu një kurs për gazetari e histori dhe kërkoi të vazhdonte fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë.

Qysh në vitet e para të punës u bë i pranishëm në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë. Në vijim, u transferua nga reparti i artilerisë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”. Dy herë radhazi kërkoi të shkonte në Moskë me studime për Gjuhë-Letërsi, por nuk e lejuan. Kishte një pasion të fshehur për muzikën dhe së bashku me Kostandin Trakon ka bërë himnin e Shkollës së Bashkuar.

Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikati me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Në vitin 1959 botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”. Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari dhe diçka e tillë do e çonte në një disidencë të hapur. Kjo do ta vendoste në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit.

Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua.

Mjaft nga poezitë e pabotuara kanë humbur dhe vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”.

Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij./KultPlus.com

Të ngjajshme